Barcelona do të rrisë taksën turistike për pasagjerët që vijnë në vend me anije dhe që vizitojnë qytetin për më pak se 12 orë.
Kryebashkiaku Jaume Collboni në një intervistë tha se taksa aktuale turistike për pasagjerët që vijnë me kroçere është 7 euro, por nuk dha detaje të mëtejshme sesa do të rritet.
“Ne do të propozojmë një rritje të konsiderueshme të taksës për pasagjerët,” i tha ai gazetës El Pais. Propozimi do të duhet të bihet dakord me qeverinë rajonale katalane, tha Collboni.
Kjo është e fundit në një sërë masash që ai ka shpallur për të ulur ndikimin e turizmit masiv dhe vjen vetëm disa javë pasi protestuesit në Barcelonë mbushën rrugët duke protestuar që turistët të largohen.
Sipas Statista, Barcelona raportoi numrin më të madh të pasagjerëve që vinin në Spanjë me anije turistike vitin e kaluar, afërsisht në 3.6 milionë pasagjerë. Autoritetet njoftuan muajin e kaluar se qyteti do të ndalojë turistët që të marrin me qira apartamente deri në vitin 2028, ndërsa kritikët thonë se kjo pabarazi nxit më tej krizën e strehimit në Spanjë.
Aktivistët kanë protestuar në destinacionet e njohura të pushimeve në të gjithë Spanjën, si Palma de Mallorca, Malaga dhe Ishujt Kanarie.
Sipas tyre faji për rënien e standardeve të jetesës shpesh u vihet vizitorëve që rrisin çmimet, përfshirë kostot e banesave. Rreth dy muaj më parë rreth 10,000 njerëz dolën në rrugët e Palma de Majorka nën sloganet “Mjaft është mjaft!” dhe “Majorka nuk është në shitje!”