Në këtë lokal në qendër të Memaliajt mbrëmjen e së shtunës nga një atentat mafioz humbën jetën tre persona dhe një tjetër u plagos rëndë.
Në objektiv të sulmit ishin vëllezërit Shyqo dhe Artur kalemi përkatësisht 74 dhe 57 vjeç të cilët dyshohet se u qëlluan për hakmarrje.
Pavarësisht se gjatë dy viteve të fundit dy djemtë e Shyqo Kalemit i kishin shpëtuar disa atentateve ky i fundit duket se nuk i druhej një të tilli. Si çdo mbrëmje ai dhe i vëllai që ishte pronari i lokalit uleshin tek e njejta tavoline ku vrasësit që dyshohet se janë me pagesë u afruan me një mjet BMW dhe hapën zjarr me breshëri duke i lëne të vdekur në vend Shyqo Kalemin dhe duke plagosur rëndë vëllain e tij Arturin i cili po lufton për jetën në spitalin e Gjirokastrës.
Në momentin e ngjarjes në lokal kishte dhe klientë të tjerë të cilët shpëtuan mrekullisht pa lëndime. Para ngjarjes dyshohet se vrasësit kishin studiuar zonën dhe itinerarin që do të ndiqnin por kjo nuk kishte rënë në sy të askujt.
Pas ngjarjes ata udhëtuan drejt Memaliajit ku në fshatin Bejaj dogjën mjetin e tyre BMW. Pas shuarjes së flakëve policia zbuloi brenda kësaj makine 3 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në ngjarje. Makina dhe armët do të ekzaminohen për të zbuluar të dhëna të vlefshme për hetimin, ndërkohë që janë shoqëruar disa persona dhe u ngritën disa postblloqe në akset kryesore që lidhen me Memaliajin. Policia nga ana tjetër po punon me pamjet e kamerave të sigurisë në zonë.
Zanafilla e këtij atentati mafioz dyshohet se është konflikti për shkak të prishjes se pazareve të drogës. Pas një takimi që nuk shkoi si duhej në një hotel në Sarande mes Edmond Papës dhe Aleksandër Sadikajt, ky i fundit u eliminua me eksploziv më 11 qershor të vitit 2022 në Tiranë. Vrasja e tij zyrtarisht është e pazbardhur por kushërinjtë e Sadikajt akuzuan biznesmenin Edmond Papa dhe morën hak brenda 6 muajsh. Në dhjetor të vitit 2022 Papa u vra në një lokal në Tiranë dhe për këtë në pranga kanë rënë dy persona që dyshohet se janë urdhëruar nga Andrea Kalemi, djali i viktimës së sotme Shyqo Kalemi.
Vetë Andrea i ka shpëtuar dy atentateve në Greqi. Në gusht të 2023 në ishullin Pax të Greqisë ai u qëllua me breshëri teksa ishte duke pushuar me familjen, ndërsa më vonë u plagos me thikë teksa ndodhej në një burg në Greqi. Vëllai i tij Zamir Kalemi në Janar të këtij viti i shpëtoi një atentati mafioz në Unazë të Tiranës. Nga një mjet në lëvizje ai u qëllua me breshëri por devijimi i makinës Smart me të cilën ai lëvizte e shpëtoi. Ai u plagos rëndeë, por mundi të mbijetojë.
Fatkeqësisht atentati i kësaj të shtune është një histori që përsëritet ku nga përplasja mes grupeve kriminale humbin jetën qytetare të pafajshëm. Në atentate të ngjashme në vitin 2022 në Don Bosko në Tiranë, ku u vra gabimisht Erion Çela dhe u lënduan persona të tjerë të rastësishëm në vendngjarje, ndërsa në mars të vitit të kaluar humbi jetën banakierja Mimoza Paja, ndërsa në atentatin e kësaj të shtune humbi jetën kamerieri Gledion Muka dhe klienti Marsel Çela.