Taksa e sheshtë 9% do t’i jepte fund tiranisë mbi shtresën e mesme dhe sipërmarrjen.
Këtë e ka bërë me dije, kreu i Demokratëve Euroaltantikë, Lulzim Basha, përmes një postimi në rrjetet sociale, i cili ka rikonfirmuar angazhimin e bërë publik në Kuvendin Programor të 1 qershorit për taksën e sheshtë.
Plani ekonomik i demokratëve euroatlantikë, parashikon taksën e sheshtë 9%, tatim fitimi 9%, tatim për të ardhurat personale 9%, dividendi me taksën e sheshtë 9% edhe për profesionet e lira, që sipas Lulzim Bashës fuqizon sipërmarrjen dhe profesionet e lira, duke sjellë mirëqenie dhe zhvillim ekonomik për familjet shqiptare.
“Kostot e papërballueshme të jetesës, taksat e larta, arbitrariteti i qeverisë, klientelizmi që vret konkurrencën, korrupsioni që pamundëson zhvillimin ekonomik, janë problemet reale që prekin jetën e çdo shqiptari. Prandaj dhe përkushtimi ynë shkon i gjithë për zgjidhjen e tyre, përmes një programi ambicioz, me të cilin synojmë rritjen e mirëqenies dhe krijimin e mundësive për të gjithë shqiptarët pa dallim. Plani i demokratëve euroatlantikë për ekonominë, me taksa të ulta, miradministrim dhe transparencë, çliron potencialin e vendit, zhvillon sipërmarrjen, nxit punësimin, forcon shtresën e mesme, rrit të ardhurat dhe fuqinë blerëse të familjeve shqiptare. Shqipëria meriton më shumë”, shkruan Basha.
Në videon që ka shpërndarë, një inxhinier i ri tregon barrën e rëndë fiskale që dëmton shtresën e mesme.
Për Bashën, kjo është një tirani e qeverisë ndaj shtresës së mesme që do t’i jepet fund shumë shpejt.
“Ne do t’i japim fund tiranisë mbi shtresën e mesme dhe sipërmarrjen shqiptare. Me 9% taksën e sheshtë mbi tatim fitimin dhe mbi tatimin mbi të ardhurat personale, ne do të garantojmë fuqizimin e sipërmarrjes shqiptare dhe të profesioneve të lira. Kjo do të sjellë mirëqenie ekonomike dhe zhvillim ekonomik për familjet shqiptare dhe për Shqipërinë”, tha Basha./a.m.