“Gjibraltari është spanjoll”. Ky kor i brohoritur prej tyre në festën e organizuar në Plaza de Cibeles të Madridit pas fitores së Euopianit përballë Anglisë, mund t’i kushtojë shtrenjtë dy yjeve të kombëtares së Spanjës.
Nisur nga pakënaqësia e Federatës së Gjibraltarit, UEFA ka vendosur të hetojë nëse ka një shkelje të mundshme të rregullores disiplinore nga Rodri dhe Alvaro Morata, të cilët duket se u rrëmbyen nga euforia e festimeve.
Mesfushori dhe sulmuesi i “La Roja” do të përballen me pezullim për dy ndeshje në rast se UEFA në fund të hetimit vendos t’i dënojë për thirrjet që i referoheshin Gjibraltarit.
Kjo nuk do të ishte hera e parë që një lojtar sanksionohet duke iu referuar çështjeve politike, pasi në Europianin e luajtur në Gjermani serinë e hapi sulmuesi kuqezi, Mirlind Daku, pas thirrjeve kundër maqedonasve, e më pas e vijoi mbrojtësi turk Merih Demiral që u pezullua po me dy ndeshje për shkak se festoi golin me simbolin e ‘Ujqërve gri’ , një lëvizje e ekstremit të djathtë turk.
Ndaj Morata dhe Rodri mund të mungojnë në dy ndeshjet e ardhshme që Spanja do t’i luajë në shtator kundër Serbisë dhe Zvicrës në fazën e grupeve të Ligës së Kombeve.