Deputeti demokrat Saimir Korreshin në një komunikim të drejtpërdrejtë në studion e News24 ka komentuar zhvillimet e fundit në kampin e opozitës.
Korreshi u shpreh se PD tashmë po shëron plagët e saj pas momentit të vështirë që kaloi në vitet e fundit.
Sa i përket mundësisë së bashkimit të deputetëve që më herët janë rreshtuar krah Lulzim Bashës, Korreshi u shpreh se “asnjë demokrat nuk ka nevojë për ftesë që të hyjë në shtëpinë e vetë”.
Duke u ndalur te zgjedhjet e vitit të ardhshëm, Korreshi tha se formula e daljes së demokratëve në garë do të varet nga reforma zgjedhore, por nënvizoi se nëse do rikthehen koalicionet partitë aleate do të jenë nën siglën e PD.
“PD kaloi një moment të vështirë për disa vite, por po shëron plagët e saj tani. Edhe më parë ka pasur ministra që nuk shkonin më njeri-tjetrin, edhe te PS është e njëjta, por janë hermetikë në daljen e informacionit, ndryshe nga PD. Nuk është më partia hermetike edhe pse themi çfarë bëhet këtu e lëmë këtu.
Nuk ka nevojë për ftesë asnjë demokrat, ftesë u duhet vetëm socialistëve të pakënaqur me qeverinë. Nuk ka nevojë njeri për ftesë të hyjë në shtëpinë e vetë. Asnjë koleg që ka qenë i mendimit ndryshe nuk e ka pasur trysninë. Edhe në kafe tani bashkohen të gjithë, nuk janë më të ndara grupimet. Nuk e di çfarë do bëjë Basha.
Gjithçka për daljen në zgjedhje varet nga reforma zgjedhore. Jam skeptik nëse duhet të mbarojë këtë muaj. Nëse do kemi rikthim të koalicioneve do jenë nën siglën e PD si më parë. Ka ardhur koha mendoj që opozita të bëjë një analizë aritmetike, si të maksimizojmë votat.
Personalisht do isha për listat e hapura, ka nevojë që edhe kryetari të krijojë një qeveri në hije që duhet siguruar. Janë njerëzit që janë potencialë për ministra nesër. Do të mbështes çdo propozim të kryesisë së PD dhe këshillit kombëtar pavarësisht dëshirave personale të gjithkujt.
Qeverisë po i arrestohen të gjithë, nuk besoj se ka marrë ndonjëherë PS goditje kaq të madhe. Nuk e shoh kaq dramatike atë të 21 Janarit, sepse nuk jam përfshirë dhe informuar”, tha ai.