Gazetari amerikan Evan Gershkovich është dënuar nga një gjykatë ruse me 16 vite burg pasi u shpall fajtor për spiunazh. Vendimi i së premtes vjen pas një gjyqi të mbajtur me dyer të mbyllura për shkak të çështjeve të “sigurisë kombëtare” .
Gazetari 32-vjeçar i Wall Street Journal u arrestua në mars 2023 në Ekaterinburg. Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) tha se ai kishte informacion mbi një ndërmarrje ruse të mbrojtjes. Kremlini shtoi në atë kohë se ai ishte “kapur në flagrancë”.
Familja dhe kolegët e Gershkovich mohojnë akuzat dhe pretendojnë se ai po kryente një hetim të zakonshëm gazetaresk. Arrestimi i tij shënoi herën e parë që një reporter amerikan arrestohej nën dyshimin për spiunazh që nga Lufta e Ftohtë.
Gershkovich është mbajtur në paraburgim gjatë gjithë hetimit dhe gjykimit. Sipas shërbimit të shtypit të Gjykatës Rajonale të Sverdlovsk, ai përsëri mohoi çdo keqbërje në seancën dëgjimore të premten.
“Gershkovich Evan është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim për një afat prej 16 vjetësh, për t’u vuajtur në një koloni të sigurisë maksimale,” tha kryetari i trupit gjykues ndërsa shpalli vendimin, siç citohet nga një korrespondent i RIA Novosti. Prokurorët kërkuan më parë një dënim 18-vjeçar për gazetarin, ndërsa dënimi maksimal me të cilin përballej ishte 20 vjet.