Shtatori pritet të jetë muaji kur do të nisë fushata e rivlerësimit të pasurisë në të gjithë vendin. Përmes kësaj nisme të deputetes Blerina Gjylamenti, qytetarët do të kenë mundësi të rivlerësojnë shtëpinë apo biznesin me një normë tatimi më të ulur dhe jo 15% sa është e përcaktuar në ligj.
Nisma merr edhe mbështetjen e opozitës, por deputetët ndahen në diskutimin për normën e tatimit, që nuk është përcaktuar ende.
“Do të sugjeroj që ta zbresim deri në 2%”, tha demokrati Edmond Spaho.
“Taksën ta bëjmë 4%”, tha socialisti Vullnet Sinaj.
“Për çështjen e tatimit, nga 15% në 5% është një favor enormë që bëhet, kjo historia që nga 15% ta bëjmë 2, 3, 4% nuk bën sens. Bën sens që ne të bëjmë një diferencim mes shtëpisë së parë dhe të dytë, të tretë… arsye strehimi po patjetër duhet favorizuar”, tha deputeti Erion Braçe.
“Projektligji vjen në Këshillin e Ministrave merret mendim dhe më pas jepet qëndrim për nismën.Në parim qëndrimi u dha dje nga kryeministri dhe ai është qëndrimi i kryeministrit. Por duhet që institucioent të shprehen për muncësinë e zbatimit”, tha ministri i Financave, Ervin Mete.
Diskutime në Komisionin e Ekonomisë pati edhe nëse duhet të përfitojnë nga rivlerësimi edhe ata që shtëpinë e kanë në proces legalizimi.
“Nuk mund të rivlerësojmë ata që janë në proces legalizimi sepse ata nuk janë bërë pronarë dhe ndoshta legalizimi nuk miratohet dhe ne i faktorizojmë si pronarë. Unë mendoj se duhet të ëprfitojnë ata që kanë legalizuar pronmën dhe janë në proces regjistrimi”, tha Vullnet Sinaj.
Me bindjen se kjo do të jetë fushata e fundit, e lindur si nevojë për shkak të ndryshimit të çmimeve të referencës, deputetët propozojnë që rivlerësimi i pronës me normë tatimi të ulët të shtrihet deri në dhjetor të vitit 2025.