Bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili akuzohet për disa vrasje, duket se nuk i kalonte aq keq ditët e tij në qeli…
Gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat ka siguruar një video të Dumanit, teksa ndodhet brenda në qeli, duke u stërvitur e duke filmuar veten. Pamje që në fakt nuk të krijojnë shumë idenë e një qelie, në të cilën mbahet një person i akuzuar si vrasës me pagesë. Dumani shihet me një kapuç në kokë, kanotiere dhe tuta sportive, duke mbajtur trupin në formë.
Një ditë më parë Alda Nikolli doli në një intervistë ekskluzive për Top Channel, me gazetaren Bezat, ku tregoi se kishte pasur një romancë me Dumanin prej dy muajsh. Ata ishin njohur prej kunatit të saj, Amarildo Nikolli, i cili vuan dënimin në të njëjtin burg me Dumanin.
Pasi Alda kishte shkuar në burg dhe kishte treguar se kishte komunikim me të, përmes videove dhe lidhjeve Skype, e po ashtu kishte rrëfyer edhe ato çfarë Dumani i tregonte, sipas saj ky i fundit e kërcënoi. Ditë më parë në banesën e saj ku jetonte me të motrën, partneren e Amarildos, u vendos tritol, për të cilin motrat bëjnë autor Dumanin.