Një shpërthim i fuqishëm, si dhe të shtëna armësh automatike janë dëgjuar rreth orës 03:00 të mëngjesit e të dielës në shtëpinë e kulturës në Zubin Potok, por nuk ka të lënduar në njerëz.
Burime të KP-së bëjnë të ditur se në kohën e shpërthimit, në shtëpinë e kulturës kanë qenë më shumë se 10 punëtorë të cilët ishin duke përgatitur sallën për kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili pritet t’i drejtohet qytetarëve të kësaj ane.
Sipas këtyre burimeve, përveç pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që kanë dal në vendngjarje, aty ndodhen një numër i madh edhe i pjesëtarëve të xhandarmerisë serbe në rroba civile.
Autorët, si dhe motive i këtij incidenti nuk dihen. KP ka provuar të kontaktojë me zëvendës drejtorin e policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, por ai si zakonisht nuk e ka hapur telefonin.