Nga Lorenc Vangjeli
Me ndonjë përjashtim të rrallë, në Kuvend u vu në skenë një nga aktet më absurde të njehsimit mes shumicës që qeveris dhe pakicës që premton të qeverisë nesër. Sado të ndryshme që janë, sado armiqësi t’i demonstrojnë njëra-tjetrës këto dy gjysma të pabarabarta, sado të papajtueshme të shfaqen kur janë përballë, të hënën e raportimit të SPAK-ut, ato ishin në të njëjtin krah. Duartrokitjet e socialistëve në fund të seancës së gjatë me pyetje-përgjigje të Altin Dumanit dhe pyetjet retorike e shantazhuese të opozitës ishin në thelb e njëjta gjë. Ato i bashkonte armiqësia gjenetike ndaj të ftuarit në podium dhe asaj që ai përfaqëson dhe i njëtrajtësonte frika e presë përballë gjahtarit.
Seanca u shndërrua në një radiografi politike për të kuptuar dhe shpjeguar humoret e të sotmes dhe një pjesë të horoskopeve të ndërlikuara të së ardhmes, çdonjëri nga të cilët, në rrafsh individi apo grupimi politik, është i lidhur me rolin e këtij aktori të ri publik në skenën shqiptare.
Duke nisur me tryezën qeveritare; jo prania, por mungesa e shumë antarëve të kabinetit në tryezë dëshmonte qëndrimin e saj ndaj SPAK-ut. Një pjesë e emrave nga të munguarit janë nën hetim, të tjerë presin të ndodhë e njëjta gjë me ta. Për më shumë, një pjesë e tyre e kanë të paqartë fatin vetjak politik pas kongresit socialist të fundkorrikut. Ata kanë marrë të gjitha sinjalet e mundshme nga heshtja e kryeministrit, që më së paku, do t’i lerë të vetëm në ballafaqimin e mundshëm me drejtësinë, Më i informuar se të tjerët se mbi çfarë minash kanë shkelur bashkëpunëtorët e tij, i yshtur nga një presion gjithmonë e më i fortë publik për ndryshim dhe nga neveria për ata që e kanë bërë “baltë”, ka gjasa që mbarsja e mërisë së Ramës me ta, të abortojë disa karriera politike. Mes tyre bën pjesë edhe një larushi emrash që mendonin se qeverisja është një stinë që zgjat përgjithmonë dhe se fati që i kishte ngjitur njëherë lart, nuk do t’i braktiste në rrëzimin thellë e poshtë.
Me përjashtim sërish të ca pak emrave të tjerë, grupi socialist ishte i fjetur dhe i ndarë në disa kategori. Një pjesë, më e madhja, e konsideronte veten jashtë zulmës e parashikimeve të liga për të ardhmen. Të papërfshirë në vendimmarrje, të lënë në cep dhe të aftë të zgjidhin vetëm ndonjë hall vetjak qindarkash, shumë nga deputetët socialistë ndjeheshin të lirë të heshtnin duke ditur se nga furtuna e pësojnë pemët më të larta, kurse bari mund të qëndrojë sërish në këmbë. Një pjesë tjetër ruante heshtjen sepse si zakonisht nuk dinte çfarë të thoshte, kurse ca pak të tjerë, ata që janë të zakonshëm në Kuvend, tentuan të bëjnë diferencën.
Në krahun tjetër të sallës ishte e njëjta koreografi, por me dukje të ndryshme nga i njëjti thelb. Deputetët më të zëshëm si gjithmonë, pjesa dërmuese e të cilëve e besojnë sinqerisht dyshimin si provë, të bërtiturën si politikëbërje, fyerjen si argument dhe urrejtjen si mjetin e vetëm për të shpjeguar botën e tyre të kufizuar nga urrejtja për tjetrin dhe idhujtarizimin e “Dritares”, e konsideruan Dumanin si armikun perfekt. Dhe për më shumë, duke e parë sulmin ndaj tij si mënyrën e vetme për të mbrojtur liderin e tyre nën arrest shtëpie dhe shansin që lideri t’i rivendosë sërish në listë për deputetë. Shumica dërmuese e pyetjeve kishte të bënte me çështje nën hetim, të cilat natyrisht nuk mund të merrnin përgjigje. Pyetje të tjera të të njëjtit nivel, shoqëroheshin me komente të gjatë e patetikë, me gishta që grisnin e prisnin ajrin si shpata, një dëshmi ulëritëse e faktit se pakkush, po vërtet shumë pak njerëz me mandat në atë sallë, kanë mundur të kuptojnë marrëdhënien konkrete e reale mes pushtetit ekzekutiv me pushtetin gjyqësor. Ku nis kontrolli i njërit mbi tjetrin dhe ku bitis ekuilibrit i njërit mbi tjetrin.
E vetmja diferencë mes dy grupimeve të majtë e të djathtë në kuvend kishte të bënte vetëm me formën. Nëse njëri grup e demonstronte urrejtjen si mjet për të dëshmuar dashurinë për liderin e burgosur në shtëpi, tjetri puthte dorën që nuk mund të kafshonte siç do të donte vërtet ta bënte.
Me përjashtim të shfaqjes, pothuajse asnjë ide mbi thelbin. Asnjë fjalë për metodat e hetimit të SPAK-ut që jo gjithmonë janë ato të duhurat, për paraburgimet tmerrësisht të gjatë dhe pothuaj kryesisht të papërshtatshëm në lidhje me veprën e kryer apo dhe personalitetin e të akuzuarit, për mungesën e hierarkisë dhe prioriteve në hetim sipas rëndësisë së veprës, për procese që kanë ndëshkuar, por nuk kanë bindur për dhënien e drejtësisë, për kohëzgjatjen e hetimeve dhe mbi të gjitha, për raportin refraktar që është krijuar mes prokurorëve dhe gjykatësve të posaçëm: të parët mund të nisin hetime e të venë nën hetim edhe vetë arbitrat e tyre. Duke i bërë ata vulnerabël dhe duke përmbysur hierarkinë e vendimmarrjes reciproke.
Seanca e të hënës ishte konfirmimi i një të vërtete të thjeshtë: në Tiranë asnjëherë nuk është ashtu siç duket dhe se në Tiranën politike, realisht nuk ka as dashuri dhe as urrejtje mes palësh, por ka vetëm interesa që i çojnë ato herë në krahët e dashurisë dhe herë nën kthetrat e urrejtjes. Si përherë edhe këtë herë!