Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka renditur arsyet se përse kanë zgjedhur Petro Gjikurian, si kandidat në zgjedhjet e Himarës që priten të mbahen 4 gusht. PBDNJ thotë se kanë dalë te ky emër pas një sërë konsultimesh intensive me komunitetet përbërëse të Bashkisë Himarë por edhe asosacionet përfaqësuese të tyre në emigracion.
“Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me Bashkimin Demokratik të Minoritetit Etnik Grek “OMONOIA” pas konsultimesh intensive me komunitetet përbërëse të Bashkisë Himarë por edhe asosacionet përfaqësuese të tyre në emigracion, u propozoi Partive Politike opozitare aleate që në zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë së Himarës të mbështesim kandidaturën e z Petro Gjikuria.
Rrëmbimi i mandatit të Kryetarit të Bashkisë së Himarës z Fredi Beleri dhe dhunimi i vullnetit të sovranit nga Kryeministri Edi Rama duke instrumentalizuar individë dhe segmente të Policisë së Shtetit, Drejtësisë, KQZ -së dhe vetë Presidentin e Republikës përbën precedentin më të rrezikshëm në historinë posttotalitare të vendit për votën e lirë, shtetin e së drejtës, demokracinë funksionale dhe të drejtat e njeriut duke rritur kështu edhe më shumë distancën që na ndan nga standardet dhe praktikat më të mira Evropiane”, thotë PBDNJ.
Në deklaratën e tyre, për PBDNJ, në këto zgjedhje në Himarë do të varet fati i standardeve të zhvillimit të zgjedhjeve palamentare të vitit të ardhshëm.
“Për rrjedhojë, në zgjedhjet e pjesshme në Himarë nuk do të varet vetëm fati i drejtimit të Bashkisë për pjesën e mbetur të mandatit, por edhe fati i standardeve të zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.
Ndaj, le t’u bëhemi të gjithë krahë Himarjotëve në këtë mision fisnik për zgjedhje të lira dhe të ndershme që me aq përkushtim, vendosmëri dhe sakrifica i kanë shërbyer dhe po i shërbejnë për të mbrojtur dinjitetin, të drejtat dhe vullnetin e tyre, por njëherësh edhe pronën që po ua rrëmben autokrati me oligarkët e tij”, përfundon njoftimi.
/a.r