Prefekti i Qarkut të Vlorës Vangjel Tavo i rikthehet politikës duke pranuar ftesën e kryeministrit Rama për të kandiduar si kryetar i Bashkisë së Himarës.
Zoti Tavo i tha RTSH se e pranoi kandidimin jo vetëm si sfidë personale, por edhe se Himara e populli i saj kanë ngjashmëri me komunitetin e Gjirokastrës ku Tavo ka shërbyer më herët si deputet. “E pranova ftesën të shërbeja siç kam bërë në këto 30 vite në Gjirokastër dhe në të gjithë Shqipërinë”.
Bashkia e Himares ka me pak se 30 mijë banorë dhe është një nga bashkitë me shtrirjen më të gjerë gjeografike në Detin Jon. E pasur në burime të shumta natyrore, Himara është një nga bashkitë që mund të përfitojë nga pronat e saj mbi territor. Zoti Tavo thotë se projekti i tij i jep zgjidhje problematikave të Himarës të akumuluara ndër vite.
Në zgjedhjet e fundit lokale për këtë bashki numri i votuesve nuk i kaloi të tetëmijët. Zoti Tavo vlerëson se në zgjedhjet e gushtit do të vijnë më shumë se 10 mijë zgjedhës, do bëjnë plazh dhe do të çmallen me njerëzit e tyre.
Ai tha se do të udhëheqë një fushatë moderne elektorale që ofron parimet e mira të mirëkuptimit dhe respektit për kundërshtarin, duke mos e fshehur ambicien politike. “Nuk ka sfidë që kam hyrë dhe nuk e kam fituar” i tha zoti Tavo RTSH.
rtsh