Një operacion i policisë greke ka bërë të mundur shpartallimin e një bande të trafikut të drogës me veprimtari kryesisht në Athinë.
Mediat njoftojnë se katër shqiptarë dhe një vajzë rumune kanë rënë në prangat e policisë së vendit fqinj ndërsa atyre u janë gjetur 35 kilogramë marijuanë dhe 28 gramë kokainë.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi edhe shumën e 26 mijë eurove, një peshore dhe sende të tjera që përdoreshin për prodhimin dhe shitjen e narkotikëve.
Policia nuk ka bërë të ditur identitetin e shqiptarëve, ndërsa mësohet se mosha e tyre është nga 18 deri në 44 vjeç.