Pjerin Ndreu, kryetari i Bashkisë së Lezhës, është paraqitur në SPAK rreth orës 10:00 të së mërkurës.
Ai ka qëndruar aty për më shumë se 40 minuta, ndërsa pas daljes nga SPAK është shprehur se kemi të bëjmë me një kallëzim politik.
“Vepra penale është shpërdorim detyre. Kështu që është kallëzim politik, por nuk ka të bëjë fare me efekte korrupsioni apo shkelje të barazisë në tendera, përveçse siç duket shërbimi në komunitet që kemi bërë ne në një zonë, që quhet lagja e “Xhenio”, një nga zonat më të rrezikshme në Lezhë, të cilës ne i kemi zgjidhur një problem madhor. Kjo nuk i ka shkuar për shtat Partisë Demokratike të Lezhës, prandaj janë aty ku janë, çfarë t’iu them më shumë.
Të jesh person nën hetim nuk do të thotë se je i akuzuar. Kjo nuk ka lidhje fare as me lënien e mandatit. Ajo që kam bërë unë është detyra në shërbim të komunitetit dhe nuk kam asnjë lloj diskutimi për këtë”, tha Ndreu.
Në fund, ai u shpreh i gatshëm të paraqitet në SPAK çdo herë që do të thërritet. “Aq më tepër në rastet kur kanë të bëjnë me shërbimin në komunitet. Më kanë çdo orë të ditës dhe të natës. Kanë bërë shumë mirë që më kanë thirr. Nuk jam nga ata persona që filloj të qaj pse më thirrën”, tha Ndreu.
/a.r