Mbrojtësi i Anglisë, Luke Shaw premton maksimumin për pjesën e mbetur të Europianit.
“Për një moment mendova se do ta mbyllja këtë turne pa luajtur asnjë minutë, por më pas bëra një skaner dhe kuptova se nuk ishte një problem edhe aq i madh. E dija se do të vinte shansi im gjatë kompeticionit. Tani ndjehem shumë mirë, unë kam besimin se mund ta përmirësoj performancën e skuadrës në fushë.
Southgate i njeh cilësitë e mia dhe ndaj më ka grumbulluar. Ndoshta skuadra është më e balancuar kur në krahun e majtë aktivizohet një lojtar që luan me këmbën e majtë, edhe pse më duhet ta theksoj se gjatë gjithë kësaj kohe Trippier ka bërë shumë mirë në atë pozicion.
Southgate- Ai ka qenë brilant. Diferenca që kemi tani me Southgate në krye është se kemi fituar besimin dhe nuk i kuptoj kritikat në drejtim të tij. Ajo që ka bërë për kombëtaren dhe për ne lojtarët është e jashtëzakonshme, na ka dërguar në një nivel tjetër. Asnjë trajner nuk ka qenë aq i suksesshëm sa ai, ne lojtarët e duam shumë.
Ai është njeriu që na duhet pasi vendos gjithnjë lojtarët të parët. Edhe mua më duhet ta falënderoj pasi më ka besuar dhe më grumbulloi edhe kur nuk kishte shumë arsye për ta bërë këtë. Tani, duhet që unë t’ia kthej gjithë besimin e dhuruar”, u shpreh Shaw.