Qeveria shqiptare parashikon që me ndihmën e BERZH të ristrukturojë borxhin e krijuar ndër vite të KESH. Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, gjatë inagurimit të investimeve të kryera në Hidrocentralin e Fierzës gjatë vitit 2015. Sipas tij, KESH është duke negociuar për një ristrukturim të të gjithë borxhit të saj, një borxh ky i krijuar për shkak të falimentimit të sektorit dhe për shkak të keqmenaxhimit gjatë qeverisjes së PD-së.
“BERZH do të hyjë me paketën më të madhe financiare të mbështetjes për këtë korporatë. Vetëm nëpërmjet ristrukturimit të kësaj kredie do të shpëtojnë miliona euro në vit nga ulja e interesave dhe fillimi i pagesave të principalit”, deklaroi Gjiknuri.
Ministri Gjiknuri deklaroi se përmirësimi i pagesave kundrejt Operatorit të Shpërndarjes ka sjellë një zinxhir përmirësimi finnanciar të KESH, gjë që ka mundësuar realizimin e këtyre investimeve, ku vetëm për Hidrocentralin e Fierzës janë investuar në 3 vitet e fundit 15 milion euro.