Nga Marenglen Kasmi, Prof. asoc. dr.
Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), sot nën çatinë e Akademisë së Shkencave, pasi prej 1 janarit 2024 ASA nuk ekziston më, ka filluar prej më shumë se 10 a 12 vitesh hartimin e një teksti të quajtur “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX”, me pesë vëllime.
Në vetvete, një nismë ambicioze dhe e domosdoshme për të sqaruar e studiuar sa më mirë historinë e shqiptarëve gjatë këtij shekulli, i cili jo vetëm për Shqipërinë, por për thuajse gjithë botën ka qenë shekulli i ngjarjeve të mëdha si dy luftërat botërore, Lufta e Ftohtë, përmbysja e regjimeve komuniste e socialiste në vendet e ish-bllokut Lindor dhe vendosja e sistemit demokratik. Për të pasuruar bazën dokumentare të këtij botimi, një grup i strukturuar dhe i kolauduar punonjësish të Institutit u dërgua për kërkime arkivore në Washington, Londër, Berlin, Moskë, Romë e Paris.
Vëllimi i parë i kësaj vepre me shumë autorë u botua në vitin 2017. Bashkautorët u shpërblyen bajagi mirë për punën që kryen në bazë të numrit të faqeve të shkruar nga gjithsecili. Madje, për të mos lejuar “rrjedhjen” e parave në duar “të huaja”, më të zgjedhurit e tyre, kuptohet, ata që kishin edhe poste drejtuese në Institut, u vetëshpallën edhe oponentë të vëllimeve, duke u shpërblyer edhe për këtë “vlerë të shtuar” të tyre.
Vëllimi i parë u vlerësua nga Akademia e Shkencave me çmimin “Çabej”. Nuk e kaloj dot pa vënë buzën në gaz këtë gjë, pasi më kujtohet se dy akademikët që drejtonin asokohe ASA-n dhe Institutin e Historisë, respektivisht Marenglen Verli e Beqir Meta, e ndanë vlerën monetare që shoqëronte çmimin jo duke e pjesëtuar në mënyrë të barabartë midis autorëve, por sipas germave e karaktereve që ata kishin shkruar, a thua se po paguanin për herë të dytë hartuesit e veprës. Se kush u dorovit më shumë, mjafton të shikoni tabelën e përmbajtjes së veprës. Pra, një çmim cilësie u nda në mënyrë sasiore. Një veprim i tillë ishte më shumë se i gabuar. Ishte makutëri parash. Sepse mund të shkruash fjala vjen 140 faqe dhe mund të mos kesh asnjë prurje të re shkencore, ndërkohë që mund të shkruash 10 a 20 faqe dhe vendos një piketë të rëndësishme në kërkimin shkencor, çka bind komisionin përkatës të vlerësojë me çmim një vepër me shumë autorë.
Mendo sikur edhe doktoratura me 15 faqe e Einstein-it të kishte pasur si kriter vlerësimi numrin e faqeve. Kësisoj qoftë larg, sot nuk do të kishim Teorinë e Relativitetit, por ama fati na buzëqeshi, pasi patëm Historinë e Shqiptarëve në shekullin e XX. Ndërkohë, ASA-n e vizituan kontrolle pas kontrollesh, nga Ministria e Arsimit e madje edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, të cilët gjetën një kapicë me shkelje ligjore e financiare dhe hiç, por hiç fare ama, për “Historinë e Shqiptarëve në shekullin e XX”. ASA shkoi e vate, por trashëgimia e saj mbeti!
Pa u zgjatur, e prita me shumë kureshtje vëllimin e katërt të kësaj vepre ku trajtohen vitet 1939-1944. Drejtues dhe redaktor shkencor i vëllimit është Beqir Meta. Në vazhdën e “traditës” së krijuar me vëllimet e mëparshme, oponent shfaqet autori i pjesës më të madhe të vëllimit. Në fakt, gjashtë kapituj, pra pjesa e luanit me rreth 370 faqe, janë shkruar nga Muharrem Dezhgiu. Aty trajtohet periudha e luftës në Shqipëri, 1939-1944. Por, në asnjërën prej atyre faqeve nuk përmendet, qoftë edhe një herë, termi Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Autori ka preferuar të përdorë gjithmonë përcaktimi “luftë civile”, rreth 50 herë në tekst. Kjo është disi e çuditshme se në një referat të mbajtur nga autori Dezhgiu në vitin 1985 me titull “Vendi dhe roli i fshatarësisë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, botuar në Studime Historike Nr. 1, viti 1985, në 12 faqe e gjysmë tekst, me 10 referenca gjithsej, ku 9 prej tyre janë veprat e Enver Hoxhës, ai nuk e përmend asnjëherë termin “luftë civile”, por ama plot 19 herë përcaktimin Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Tani nuk e di se cilin autor duhet të besojë lexuesi. Atë të parin, apo këtë të dytin.
Për hir të së vërtetës, historianë të tillë i kanë borxh shoqërisë shqiptare pagën e shumë viteve, pasi qenkan shpërblyer “për të qenë politikisht korrekt”, duke mohuar deri edhe vetveten, dhe duke e futur në një qerthull vicioz shoqërinë shqiptare. Vlera e vërtetë e tyre paska qenë mungesa e integritetit moral e profesional, gjë që duhet ta rëndonte sa një mal ndërgjegjen e një historiani normal.
Katër kapitujt në vazhdim, ku trajtohet Kosova dhe viset e tjera shqiptare janë shkruar nga autorë të tjerë. Në tërësinë e saj vepra ka mbi 600 faqe dhe në të sillen edhe një numër i madh ilustrimesh. Sikurse thashë, në këtë shkrim do të ndalem vetëm në gjashtë kapitujt e parë, duke u përpjekur të jap disa vlerësime, si në aspektin metodologjik të hartimit të kësaj vepre, në atë të vërtetësisë historike e po ashtu në kuptimin e korrektësisë shkencore e të etikës profesionale, të përdhosur nga raste të shumta e të neveritshme plagjiature. Mund të thuhet me plot gojë se ky është teksti më revizionues i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në këto tridhjetë vitet e fundit. Madje, për fat të keq, i paguar me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe i hartuar e botuar nga një institucion shkencor shtetëror, i cili duhet të zhvillojë shkencën e historisë në mënyrë objektive, të paanshme e larg politizimit.
Pasi shpalosen teza e kundërteza, duke cituar edhe përfaqësuesit e tyre, diskutimi mbyllet pak a shumë: “filan studiues mendon kështu, e ky tjetri ashtu, por ne (Ne?) mendojmë se e vërteta ka qenë kështu…”. Dhe imagjinata merr anë e udhë. “Malit” përpjetë e përsëri tatëpjetë.
Po ndalem vetëm në disa aspekte përgjithësuese, pasi është e pamundur që në një shkrim të tillë modest të analizohen të gjitha. Në libër thuhet se Ahmet Zogu vendosi të mos organizonte një qëndresë afatgjatë të armatosur ndaj pushtimit italian sepse kishte frikë se mos shpërthente ndonjë luftë civile midis shqiptarëve, pasi një pjesë e emigracionit politik antizogist ishte mbajtur dhe ushqyer me subvencionet italiane (faqe 32). Kishim dëgjuar mjaft teza për qëndrimin pasiv të mbretit Zog ndaj pushtimit italian, por kjo i kalon të gjitha parashikimet. Pra, gjithmonë sipas këtij teksti, “pikërisht këto rrethana të brendshme e të jashtme, e detyruan A. Zogun për të mos inkurajuar dhënien e armëve në duart e popullit. Me një qëndrim të tillë mendohej se, ishte dhe një mundësi më pak për evitimin e një gjakderdhje masive midis shqiptarëve” (fq. 32).
As vetë Zogu nuk ka guxuar të sjellë argumente të tilla për mosveprimin dhe dështimin e tij në organizimin e qëndresës. Një ditë para se t’ia mbathte me turp, në 6 prill 1939, ai i deklaronte shqiptarëve dhe botës, se “do mbathte opingat e do dilte malit”. Pas disa orësh, zgjodhi “të çajë ferrën” hipur në kalë, sikur medemek do të mbante fjalën e dhënë. Në Sauk i hipi Mercedesit fringo të ri, që i kishte dhuruar Hitleri dhe iku.
Shqipëria po pushtohej nga Italia fashiste, ndërsa Muharrem Dezhgiu e Beqir Meta thonë se Zogu kishte frikë se mos fillonte ndonjë luftë civile. Pasi përshkruhen manifestimet patriotike dhe antiitaliane të shqiptarëve në ditët e para të prillit 1939, të cilët kërkonin armë për të mbrojtur atdheun si edhe ngurrimin e qeverisë për të armatosur popullin, vjen mbyllja me argumentin se “mendojmë se arsyeja kryesore ishte rreziku që parandiente ajo se agjentët italianë mund të nxisnin konflikte midis shqiptarëve dhe sulme kundër saj”. Përsëri: “ne mendojmë”!
Ishte pikërisht braktisja që Zogu i bëri vendit të tij dhe mungesa e organizimit të qëndresës, pa harruar lëshimet e rëndësishme që i kishte bërë ai penetrimit italian në të gjitha fushat, të cilat bënë që Ahmet Zogu të mos e merrte asnjëherë statusin e një mbreti me qeveri në mërgim. Por fakte të tilla nuk konsiderohen të rëndësishme për t’u trajtuar. Më tej, ky botim e quan të mirëqenë bashkimin e Kosovës apo të një pjese të saj me Shqipërinë, fillimisht nën pushtimin italian dhe më pas atë gjerman. Madje, autorët shprehen kundër vendimeve të Kartës së Atlantikut, sepse ai ishte një vizion që Aleatët kishin për botën e pasluftës, ndërsa Fuqitë e Boshtit e kishin realizuar de facto bashkimin e shqiptarëve. Sipas Dezhgiut si autor, e Metës si redaktor shkencor, “Shqipëria nuk kishte marrë garanci për fatin e pavarësisë së saj, dhe jo më për të korrigjuar padrejtësitë historike, të bëra ndaj saj në të kaluarën. Mosshfrytëzimi i bashkimit faktik të Kosovës me Shqipërinë, nga komunistët shqiptarë, nuk përputhej me interesat kombëtare, me të drejtat e patjetërsueshme të shqiptarëve. Artikulimi i Kartës së Atlantikut si «rrugëzgjidhje» për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ishte imponuar nga PKJ, sepse ishte në interes të sllavëve” (f. 101).
Mesa duket përdorimi qorrazi i çështjes së bashkimit të trojeve shqiptare, më tepër si demagogji sesa si mundësi e vërtetë historike, mjaftonte si gjatë luftës, ashtu edhe sot për të shpallur armiq e të shitur.
Më tej, në tekst nuk flitet pothuajse fare për qëndresë antifashiste. Po kaq pak flitet edhe për organizimin e saj. Më tepër synohet të krijohet ideja se gjatë pushtimit italian, si forcat partizane ashtu edhe ato balliste luftonin njësoj kundër pushtuesve italianë. Madje, lihet të kuptohet se Balli Kombëtar ishte më aktiv në këtë luftë, paçka se autorit i duhet të pohojë se drejtuesit kryesorë të Ballit Kombëtar më 27 korrik 1943 kaluan në kushte ilegaliteti (f. 166). Natyrshëm kuptohet se deri në këtë kohë kishin qenë legalë, pra nuk fshiheshin.
Po ashtu, nuk shtjellohet më tej se ky “ilegalitet” disa ditor mori fund me ardhjen e gjermanëve, ku paria e Ballit Kombëtar bëri jatak përsëri në Hotel Dajti, mu në mes të Tiranës, deri në shtator-tetor 1944. Përvoja historike ka treguar se ata që luftojnë pushtuesin, nuk mund të rrinë dot kafeneve të qytetit apo të shijojnë komfortin që të ofron shtëpia. Lufta bëhej maleve.
Po ashtu, organizime të rëndësishme për krijimin e një fronti të përbashkët antifashist, sikurse ndodhi në Konferencën e Pezës, tentohet të zbehen për rëndësinë që ato patën për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për këtë ngjarje, autori shprehet se “përcaktimi më i saktë mendojmë se do të ishte: Kjo ishte një mbledhje e parë e një grupi të kufizuar për nga atributet përfaqësuese, e një organizate politike dhe disa njerëzve me më shumë ose më pak influencë në krahina të ndryshme, për të hedhur bazat e një organizimi politik dhe ushtarak në luftën kundër pushtuesit. Jashtë këtij grupimi kishte individë, krahina dhe shtresa shumë më të gjera të cilat nuk dihej çfarë qëndrimi do të mbanin në të ardhmen” (f. 113).
Pra, përsëri nuk jepen përfundime shkencore, por mendohet se!
Arsyeja e relativizimit që i bëhet Konferencës së Pezës, e cila ishte pa dyshim takimi i parë pluralist dhe më i rëndësishmi për organizimin e luftës kundër pushtuesit, sipas autorëve është se ajo u shfrytëzua nga PKSh-ja vetëm për të rritur ndikimin dhe autoritetin e saj. Pra, gjithmonë sipas këtij teksti, strukturat organizative të dala nga Peza, si Këshillat Nacionalçlirimtare, nuk kanë patur asnjë rol gjatë luftës.
Në tekst synohet “komunistizimi” i luftës antifashiste, a thua se të gjithë partizanët e përkrahësit e tyre kishin një lidhje direkte me Moskën, e frymëzoheshin personalisht nga Stalini. Më tej, ky trajtim i hap rrugë shndërrimit të luftës antifashiste në një luftë civile dhe dështimit të marrëveshjes së Mukjes si “katastrofën” e shekullit për shqiptarët.
Referencat e përdorura për këto përfundime nuk janë të besueshme. Rreth 100 luftime të kryera ndërmjet forcave partizane dhe atyre gjermano-balliste paraqiten në këtë botim si veprime luftarake midis forcave komuniste (pra jo partizane) dhe atyre nacionaliste (fq. 292-296). Kjo është një tjetër e pavërtetë, e cila verifikohet lehtë nga dokumentacioni arkivor italian, gjerman, britanik e shqiptar.
Strategjia e komandës së lartë gjermane e hartuar qysh më 12 shtator 1943, pra tri ditë pasi kishte pushtuar Shqipërinë, vlerësonte se si pasojë e forcave të pakta që kishte për ruajtjen e bregdetit shqiptar, ajo mund të mbrohej nga forcat partizane vetëm me ndihmën e forcave nacionaliste. Prandaj nisi edhe tërheqja në bashkëpunim e tyre.
Kjo strategji bazohej në një logjikë të thjeshtë, konkretisht në armatosjen e forcave të Ballit Kombëtar, përdorimin e tyre në luftën kundër forcave partizane përkrah trupave gjermane dhe pas pastrimit të krahinave nga forcat partizane, duhej që në to Balli Kombëtar të instalonte strukturat e tij dhe të mos lejonte kthimin e tyre. Kjo ishte edhe arsyeja e zhvillimit të “Operacionit të Dimrit”. Në këtë mënyrë zvogëloheshin zonat e influencës së Frontit Nacionalçlirimtar dhe nuk lejohej mbështetja e forcave partizane nga popullsia.
Sigurisht që kjo gjë i interesonte Ballit Kombëtar, pasi shndërrohej në faktor për marrjen e pushteti pas luftës, ndërkohë që kundërshtari politik asgjësohej nga ushtria gjermane. Në kulmin e Operacionit të Dimrit, Mit’hat Frashëri i kërkonte më 23 shkurt 1944 komitetit krahinor të Ballit në Korçë që “duhet të keni kujdes që në vendet e liruara të bëhet një spastrim rrënjësor, të çrrënjoset një herë e mirë komunizmi. […] Qëllimi i luftimeve tona s’është vetëm beteja, por më tepër çarmatimi, rekrutimi në radhët tona […] vetëm kështu do të çrrënjoset lëngata e kuqe”.
Sa më sipër, dokumentacioni arkivor shqiptar e gjerman e vulos qartë marrëveshjen e bërë me pushtuesve gjermanë e Ballit Kombëtar. Përvoja luftarake tregoi se ballistët nuk ishin të aftë të luftonin të vetëm përballë forcave partizane dhe po ashtu të realizonin pritshmëritë e gjermanëve. Madje, edhe në rastet kur sulmi i tyre mbështetej nga artileria gjermane, përsëri ata nuk kishin sukses. Kjo gjë ra në sy qysh në ditët e para të luftës dhe si pasojë gjermanët nuk rrezikuan më. Ata nuk kishin armatim, municion e veshmbathje të tepërt për të ngopur ambiciet e shqiptarëve. Sa më shumë dobësohej lëvizja partizane si pasojë e masave të ashpra e reprezaljeve të shumta të forcave alpine gjermane të shoqëruara nga forcat balliste e xhandarë në këto operacione, aq më tepër rritej shpresa e ardhjes në pushtet e drejtuesve të Ballit Kombëtar, tashmë që kundërshtarin politik po e shkatërronte pushtuesi gjerman.
Madje, aq shumë filluan të besojnë në këtë gjë, saqë në janar-shkurt 1944, në kulmin e Operacioni të Dimrit, ata ashpërsuan komunikimin edhe me qeverinë shqiptare progjermane, pasi e shikonin si konkurrente pushteti. Komunistizimi i lëvizjes partizane dhe antikomunizimi si justifikim i bashkëpunimit politik e ushtarak të Ballit Kombëtar me pushtuesit gjermanë në veçanti e nacionalizmit shqiptar në përgjithësi, përdoren si argumente e justifikim deri në viktimizim i dështimit politik të elitës së vjetër shqiptare. Çuditërisht edhe gjermanët vetë e thonë këtë gjë qysh gjatë luftës. “Në vend që nacionalistët të kërkonin arsyet e prishjes së marrëveshjes së Mukjes dhe të mundoheshin ta shpëtonin atë, ata nxituan ta denoncojnë prishjen e saj nga komunistët”, perifrazoj një vlerësim të gjermanëve për politikën shqiptare në fundvitin 1944.
Kjo gjë është e kuptueshme nëse i referohemi garancive që Balli Kombëtar i kishte dhënë gjermanëve qysh para zhvillimit të Mbledhjes në Mukje, se nuk do të luftonte kundër tyre. Pra, drejtuesit e Ballit Kombëtar, si përfaqësues të një politike të vjetër e të tejkaluar nga koha nuk mund të ishin kurrsesi për luftë kundër pushtuesve. Ata ishin për kompromis politik me të huajt, qofshin ata edhe pushtues.
Fundja ishin po ata, shumë prej të cilëve ju bashkuan Dushan Mugoshës në fillimvitet 1950, kur ky i fundit si gjeneral i UDB-së kërkonte mbështetjen e tyre për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës. Mos vallë Dushani kishte ndryshuar? Duke mos e kuptuar aspak frymën e kohës, ata mendonin se kushdo që të vinte pas luftës, do ta bënte me ata kompromisin politik. Kështu kishin përfituar gjithmonë. Dhe sot, në vend që të bëjmë një analizë të saktë historike, duke trajtuar me objektivitet këtë periudhë, duke vlerësuar fajet e, përkatësisht, gabimet e secilës palë, vazhdojmë ende me teorinë e pagabueshmërisë së elitës së vjetër politike shqiptare dhe të përbaltjes të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në këtë botim qëndresa dhe antifashizmi janë përdorur vetëm si tituj, sepse trajtesa nuk ka lidhje fare me to. Mesazhi që jepet në këtë botim është se në Shqipëri nuk ka pasur Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare por një luftë tërësisht civile, ku Partia Komuniste nuk luftoi kundër pushtuesve por kundër Ballit Kombëtar e forcave të tjera nacionaliste. Burimet arkivore e literatura e përdorur janë përzgjedhur në mënyrë selektive, shpesh të nxjerra nga konteksti e hera-herës duke u përdorur në mënyrë të pasaktë.
Kështu për shembull ka ndodhur me literaturën gjermane që Dezhgiu e Meta pretendojnë se e kanë parë e studiuar vetë. Çuditërisht, janë të njëjtët tituj e referenca që në masën më të madhe i kam përdorur unë për herë të parë. As që njiheshin fare këtu, si pasojë e pamundësisë, sigurisht. Deri këtu çdokush, përfshirë edhe mua, mund të mendojë se autori mund t’i ketë konsultuar, pasi është njohur me ekzistencën e tyre.
Por, si ka mundësi që mënyra e bibliografimit është njësoj me metodën time dhe po ashtu teksti, konteksti i përdorimit dhe argumentimi është njësoj me botimet e mia? Kjo në shkencë ka vetë një përcaktim, plagjiaturë! Hajdutëri, e cila është përpjekur të maskohet duke ndryshuar vetëm numrin e faqeve të referencave. Për ironi, duke kopjuar edhe ndonjë gabim shtypi që mua më kishte shpëtuar. I verifikova një për një. Në asnjë prej tyre (kreu IV: referenca 185, kreu V: referencat 4, 5, 10, 16, 43 etj.) nuk përputhen numrat e faqeve, çka është një dëshmi e qartë e plagjiaturës së referencave. Madje, citohen tituj literature e dokumentesh arkivore gjermane të sjella për herë të parë në shqip nga unë, në të cilat nuk shkruhet fare për çështjen në fjalë (Kreu II: referenca 106, kreu V: referenca 16 etj.).
Në tërësinë e fenomenit të plagjiaturës, përvetësimi i referencave dhe pasqyrimi në botim si punë vetjake shkencore është gjëja më e ndyrë. Për fat të keq, ky fenomen është shumë i përhapur në Shqipëri.
*****
Gjëja më e keqe që mund t’i bëhet një kombi është përçarja e tij duke përdorur të pavërteta historike, duke falsifikuar historinë. Dhe ky botim jep një mesazh jo të pakët në këtë drejtim. Demonizimi i PKSh-së dhe rrjedhimisht gjithë Frontit Nacionalçlirimtar e pjesës më të madhe të shqiptarëve që u rreshtuan në luftë kundër pushtuesit nga njëra anë dhe glorifikimi i asaj pakice që bashkëpunoi me pushtuesit nga ana tjetër, e thellon më tepër hendekun bardh e zi të interpretimit të historisë kombëtare. Po kaq i rëndësishëm është edhe mesazhi i gabuar që i jepet brezit të ri; pushtuesi nuk luftohet, por përqafohet. Nuk paska asnjë problem nëse vendos interesin politik e atë vetjak para pavarësisë së atdheut. Vjen koha që historia të “shpëlan” nga gjithë zullumet e mundshme që mund të kesh bërë. Mjafton që gjithçka të shitet si antikomunizëm.
Sipas kësaj mendësie, edhe nëse sot je neofashist a neonazist, nuk përbëka po ashtu ndonjë problem. Madje, tashmë këto rryma politike janë një trend në rritje. Dhe për dreq, historia përsëritet. Këto mesazhe nuk mund të jepen nga institucioni i vetëm shkencor shtetëror, Instituti i Historisë, i cili prej vitit 2008 nën çatinë e QSA-së e më pas të ASA-s, rrëshqiti gjithmonë e më shumë në batakun e qokës, interesave personale, familjare e politike dhe botimeve antishkencore.
Sigurisht që djegia e ndalimi i librave i përket një kohe tjetër. Sot, vlerësimi shprehet me qëndrime e kritika shkencore, të cilat duhet të ishin kryer me seriozitet para botimit në departamentin përkatës të Institutit të Historisë, paçka se ato binin ndesh me linjën e drejtorit të institutit asokohe.
Ndërkohë, Instituti i Historisë është rikthyer në shtëpinë e tij, në Akademinë e Shkencave dhe kryetari i saj, Skënder Gjinushi, duhet të ngrejë një komision historianësh vendas e të huaj, për t’i bërë recensën e duhur këtij botimi. Vetë Instituti i Historisë, jo vetëm që e ka humbur tashmë këtë mundësi, por po ashtu e ka të pamundur. Hija e ish-drejtorit qëndron ende në zyrën e drejtorit të ri të Institutit duke drejtuar veprimtarinë e tij.