Tre rumunë të cilët po kalonin me automjetin e tyre më shumë se 6 kilogram flori janë ndaluar në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.
Sipas të dhënave bëhet e ditur se, 6456 gram metal të dyshuar flori është sekuestruar në mjetin me targa MAAK256, me të cilin udhëtonin nga Greqia në drejtim të Shqipërisë 3 shtetas rumunë me iniciale S.S, P.S dhe Dh.S.
Floriri u sekuestrua pas kontrollit që iu bë automjetit, sapo ka hyrë në territorin e Shqipërisë, konkretisht në kroskot dhe kokat e pasme të sedileve, ku me sasinë e floririt ishte edhe një peshore elektronike.
Ja njoftimi i policisë
Dogana e Kakavijës në bashkëpunim me Policinë Kufitare evidentuan dhe më pas sekuestruan një sasi prej 6456 gr metal të dyshuar flori.
Evidentimi u bë gjatë kontrollit në mjetin me targa MAAK256, me të cilin udhëtonin nga Greqia në drejtim të Shqipërisë 3 shtetas rumunë.
Pas hyrjes në territorin shqiptar, mjeti u kalua për kontroll më të detajuar në vijën e dytë dhe gjatë kontrollit, në kroskot dhe kokat e pasme të sedileve u gjetën 7 corape, brenda të cilave u konstatuan 21 copë zinxhirë të verdhë, të dyshuar flori, si edhe një peshore elektronike. Nga peshimi rezultoi se pesha e tyre ishte afërsisht 6456 gram.
U sekuestrua sasia e mallit, 1 peshore elektronike, mjeti me të cilin këta shetas udhëtonin dhe pasaportat e tyre.
Në lidhje me këtë ngjarje u kryen veprimet e nevojshme hetimore në ngarkim të shtetasve rumunë me iniciale S.S, P.S dhe Dh.S. për kundërvajtje penale të “Mosdeklarimit në kufi të të hollave dhe i sendeve me vlerë”, parashikuar nga Neni 179/a i Kodit Penal dhe këta shtetas po ndiqen në gjendje të lirë.