Nga Ben Blushi
Si një njeri që ka votuar gjithmonë për të majtën, nuk jam i entuziazmuar nga rikthimi i të majtës në Britani dhe në Francë. Si shumë të tjerë edhe unë e di që kjo është njëlloj sikur të mbulosh shtëpinë me qese përpara se të fillojë përmbytja.
Herët apo vonë përmbytja do ndodhë dhe qesja do fusë ujë nga të gjitha anët. Atëherë të zotët e shtëpisë do marrin plaçkat dhe asnjeri nuk do dijë të thotë nga është dalja më e shpejtë: majtas apo djathtas.
Kushdo që lexon këto rreshta, që përshkruajnë ardhjen e një deluge, pra një qameti, do më pyeste pse parashikoj kaq keq, në fund të fundit më e keqja u shmang, e majta erdhi në pushtet në Francë, packa se u përdor si qese nga e djathta e moderuar për të penguar përmbytjen e të djathtës ekstreme.
Pikërisht ky është edhe problemi.
Në historinë e Europës moderne e majta nuk ka luajtuar kurrë një rol kaq të parëndësishëm zëvendësues. Ajo po përdoret për të zgjidhur përkohësisht hesapet mes qendrës së djathtë dhe ekstremit të djathtë, ardhja e të cilit në pushtet është thjesht një çështje kohe dhe kjo ka një arsye apo shumë arsye.
Dekada e fundit e liberalëve të djathtë ka qenë një katastrofë që e nxorri Europën nga tregu global dhe e ktheu në një superfuqi të vogël.
Europa ka humbur fuqinë ekonomike në dobi të Kinës, ka humbur fuqinë ushtarake ne dobi të Amerikës, ka humbur fuqinë demografike në dobi të Afrikës po humb çdo ditë fuqinë e kreativitetit në dobi të Azisë dhe shumë popujve të tjerë.
Europa i ngjan një restoranti të madh në të cilin ulesh për të pushuar pas vizitës në një muze dhe para vajtjes në një muze tjetër. Pronarët e restoranteve janë francezë, belgë, gjermanë, italianë, austriakë, çekë ndërsa puntorët janë të gjithë afrikanë, aziatikë, turq, latinë dhe për të zgjidhur konfliktet mes pronarëve vendas dhe puntorëve të ardhur, partitë europiane bëjnë fushata dhe herë pas here ndryshojnë vendet në parlament.
Kështu ndodhi edhe dje në Francë. Për shkak të një taktike elektorale efikase, një e djathtë bëri një pakt me të majtën për të penguar të djathtën tjetër. Franca do gjejë një koalicion për të qeverisur pas zgjedhjeve por zgjidhje nuk do ketë.
Në këtë mënyrë konfliktet sociale jo vetëm do vazhdojnë por edhe do shtohen.
Për fat të keq kurrë më shumë se sot nuk duken të paplota, të përcipta, të dëmshme dhe mendjelehta politikat e Merkel dhe Macron si dhe të gjithë atyre që i kanë ndjekur me symbyllur për kaq shumë kohë. Pa asnjë ide dhe me shumë paragjykime të djathtët liberalë u nisën të shkatërrojnë të majtën duke krijuar në të vërtetë të djathtën ekstreme.
Merkelmacronët rritën pabarazinë në Europë, dobësuan shtresën e mesme, i dhanë gjithë fuqinë bankave si një mënyrë për të kontrolluar shtetet e vegjël, i kthyen universitetet në dyqane duke i zhveshur nga mendjet, e kthyen NATO-n në një divizion legjionarësh të ushtrisë amerikane, penguan zgjerimin e Europës, nuk bënë asgjë për të integruar emigrantët dhe nxitën një konflikt të panevojshëm në Ukrainë të cilin mund ta kishin shmangur me diplomaci.
Ky dështim e pati një pasojë : ekstremi i djathtë në Gjermani, Francë, Itali nuk ka më të ndalur sepse ai duket sikur ka përgjigje për disa cështje që merkelmacronët i lanë gjithmonë pa përgjigje.
Tani atyre ju ka mbetur edhe lëvizja e fundit: të përdorin të majtën për t’u mbrojtur siç ndodhi dje në Francë.
Që të kuptohet sesa e dobët dhe e pashpresë është fitorja e të majtës në Europë mjafton të shohësh për çfarë flitet në Europë sot. Në kohën kur gjithë bota flet për inteligjencën artificiale Europa flet për Ukrainën. Superfuqitë e tjera bëjnë garë për të prodhur mendje digjitale ndërsa liderët e Europës janë rreshtuar në një koalicion ideollogjik kundër Rusisë i cili nuk po e zgjidh krizën as ushtarakisht as me diplomaci. Ai thjesht pret që njëra nga palët të kapitullojë vetë.
Fuqia e Europës së sotme mund të kuptohet vetëm nga një krahasim : njeriu më i pasur sot në Amerikë prodhon robotë, pra makina inteligjente, kurse njeriu më i pasur në Europë prodhon rroba,parfume dhe çanta.
Nuk ka qenë keshtu para 100 vitesh. As para 50 vitesh. Europa e cantave, parfumeve dhe restoranteve u çimentua në dy tre dekadat e fundit si një produkt lluksi i Merkelit, Macronit dhe atyre që nuk kuptuan se bota mund të bëjë pa Europën, po Europa nuk mund të bëjë më pa botën.
Kështu, Europa që ishte e vogël u bë edhe më e vogël dhe ndoshta nuk ka qenë kurrë më e vogël dhe asnjëherë më e dobët.
M
erkelmacronët i kanë berë Europës dëmin më të madh që nga koha e Hitlerit dhe fatkeqësisht pararadhësit e tyre të ngjashëm të viteve 1930 që ishin poashtu liberalë pa pricipe, ishin ata që ia bënë gati Hitlerit, Europën si një mburojë ndaj Rusisë.
Diçka ngjan cuditërisht me sot. Sërish Rusia është një argument, një justifikim, një arsye dhe një pretekst për të mos bërë asgjë dhe për t’u dobësuar.
Fuqia e Europës për të vendosur për botën është dobësuar dhe fuqia për të vendosur për veten po shterron. Europa nuk ka më fuqi as ta ndryshojë as ta shkatërrojë botën çka mund të jetë mirë.
Në këto kushte neve që jemi ende jashtë Europës, për shkak të vendimeve të shëmtuara dhe raciste të liberalëve të djathtë europianë, na mbetet të mos gëzohemi shumë sa herë që e majta vjen në pushtet për të penguar ata që nuk na duan në asnjë rast : të djathtët ekstremë.
Europa ka dashur që ne të jemi europianë të një lloji tjetër dhe ndoshta duhet ta forcojmë këtë profil. Ne e kemi provuar dikur të jemi një Republikë Ideollogjike tani ka ardhur koha të kthehemi në një Republikë Tregtare, e cila merr vendime sipas interesave të veta, e hapur si ndaj perëndimit edhe ndaj lindjes dhe shumë mikëpritëse për të huajt.
Një Republikë Tregtare është ajo që respekton ligjin, garanton pronën, bën zgjedhje të lira, i pranon emigrantët si fuqi punëtore dhe merret më shumë me biznes se me politikë. Për një Republikë Tregtare bota është një aleancë tregjesh më shumë se një treg aleancash.
Republikat Tregtare jetojnë në paqe me të gjithë dhe strehojnë pa dallim të gjithë ata që zhgënjehen si nga lindja ashtu dhe nga perëndimi, si nga e majta si nga e djathta, qofshin emigrantë, refugjatë, pelegrinë, nomadë, turistë, pensionistë apo mëkatarë fiskalë të cdo lloji.
Nëse në Europë, çdo i huaj është një problem, në një Republikë Tregare cdo i huaj është një pasuri. Bankat e Republikës Tregtare janë të hapura për këdo, ndërkohë që Bankat e Europës janë sportelet e para të policisë. Nëse në Europë çdo i huaj është i dyshuar, në një Republikë Tregtare çdo i huaj që blen, që shet dhe punon është i mirëpritur. Prandaj, ndërkohë që vendet e tjera mendojnë për taksat dhe sigurinë, Republika Tregtare mendon për çmimet dhe harmoninë. Ky është ndryshimi.
Në një Europë të mbyllur, Shqipëria mund të jetë vendi më i hapur. Siç ndodh shpesh në familje ndodh edhe në histori : fiton duke mos bërë si ata që do.