Një në 5 shqiptarë është 65 vjeç e lart, sipas Institutit të Statistikave. Ndërkohë që plakja e popullsisë po ndihet në vend, statusi civil ligjor nxjerr në pah ndryshimin që kanë pësuar familjet shqiptare.
Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se më shumë se gjysma e popullsisë është e martuar, ndërsa numërohen 34 400 divorce, ku numri më i madh i ndarjeve ndodhin mes moshës 40 deri në 50 vjeç.
Psikologia, Arjola Manreka thotë: “Pra nuk kemi më atë familjen tradicionale, që gruaja qëndron në shtëpi e kujdeset vetëm për fëmijët. Kanë ndryshuar kushtet socio-ekonomike. Jemi bërë edhe shoqëri më individualiste, jemi më pak bashkëpunues e tolerantë në ditët e sotme. Si dhe në problematikat e çifteve, mungon në përgjithësi diskutimi, por sikur ka një tendencë për të thënë gjënë e parë ‘do ndahemi’.”
Censi zbulon gjithashtu se 36.6% e shqiptarëve janë ende beqarë, dhe deri në moshën 30 vjeç të rinjtë nuk mendojnë martesën, teksa piku i lidhjeve martesore arrihet në grupmoshën 45-64 vjeç. Kjo dukuri vlerësuar nga psikologët ndodh për shkak të fuqizimit të rolit të gruas në shoqëri.
“Kemi gra më të shkolluara. Duhet pasur parasysh që deri në moshën 23 vjeç përfundojnë arsimin e lartë, pastaj mendojnë për tu pozicionuar në një vend të mirë pune, më tej për të pasur një karrierë të suksesshme dhe të gjitha këto shtyjnë martesën”, shton psikologia.
Si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve, është ulur edhe lindshmëria në vend.
Ajo gjithashtu thotë: “Çiftet po duan gjithmonë e më shpesh të lindin vetëm një fëmijë, për shkak të investimit të madh që kërkohet në ditët e sotme, plotësimi i kushteve”.
Statusin e ve e ka 7% e popullsisë, ku shumica janë femra për shkak të jetëgjatësisë më të lartë dhe diferencës së moshës midis bashkëshortëve.
/a.r