Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi 1 vit burg për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Guxim Zenelaj.
Zenelaj akuzohet për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rremë.
SPAK kërkon shpalljen fajtor të Zenelajt dhe dënimin e tij me 1 vit burg, që do të konvertohet në 24 muaj shërbim prove.
Paralelisht me këtë gjykim, në GJKKO vijon dhe diskutimi mbi pasuritë e sekuestruara të Zenelajt, për të cilat shkalla e parë ka vendosur konfiskimin, por çështja është dërguar në Apel nga i pandehuri Zenelaj.
Pasuritë janë tokë në Porto Palermo, Himarë- Vlorë, me sipërfaqe 1000 m²; bodrum me sipërfaqe 16 m2, në Ishull-Shëngjin Lezhë; bodrum me sipërfaqe 15 m2, në Ishull-Shëngjin Lezhë; njësi me sipërfaqe 218.06 m2, në Ishull-Shëngjin Lezhë; apartament me sipërfaqe 60.36 m2, në Ishull-Shëngjin Lezhë; apartament me sipërfaqe 67.35 m2, në Ishull-Shëngjin Lezhë dhe apartament me sipërfaqe 51.35 m2 në Ishull-Shëngjin Lezhë.