Nga Mero Baze
Debati mbi vendvarrimin e Ismail Kadaresë ngjan si i nxjerrë nga letërsia e tij. Aty shfaqen disa prej personazheve të tij nga historia, varrmihësi, ditarshkruesi, nëpunësi i pallatit të ëndrrave, sekretari i Partisë, dhe të tjerë personazhe episodikë, që në ditët e para të mungesës së tij duket sikur janë ngjallur, duke marrë kontrollin mbi jetën e dytë jo tokësore të Ismail Kadaresë.
Të gjithë ata personazhe që ai i krijoi për ta na treguar ne anën e pështirë dhe tragjike të diktaturës, tani duken si të dalë nga faqet e librave për të marrë nën kontroll vdekjen e tij. Dikush e do në Prishtinë bashkë me Adem Jasharin, të tjerë e duan në katundin e tyre, të tjerë projektojnë veten duke mbajtur arkivolin e tij në krah e kështu me radhë.
Ismail Kadareja padyshim meriton nderimin më të lartë në raport me çdo personalitet kulturor, politik dhe intelektual të Shqipërisë. Ai është formuesi i identitetit perëndimor të kombit shqiptar, babai modern i gjuhës shqipe dhe kontribuuesi më i madh i mbijetesës dhe modernizimit të saj, dhe padiskutim ikona e Shqipërisë në botë.
Problemi është se Shqipëria nuk është gati të ndahet menjëherë prej tij.
As Naim Frashëri nuk u nda menjëherë me Shqipërinë. Ai u varros pesë herë, dhe siç e thotë aq bukur Petrit Ruka, Shqipëria nuk donte të ndahej aq shpejt me të.
Ndarja e Shqipërisë me Ismail Kadarenë nuk do të jetë një proces dy ditor zie kombëtare apo një ceremoni familjare. Ato janë pjesë e traditës familjare shqiptare.
Shteti shqiptar dhe personalitet botërore që duan të ndahen me Kadarenë do të marrin kohën e tyre dhe do të ketë një protokoll të gjatë, që do të nderojë Ismail Kadarenë, historinë e tij dhe natyrisht banesën e tij të re.
Ajo që është e bukur dhe e shndritshme këto dy ditë është që shqiptarët ndjehen shumë herë më të bashkuar rreth figurës së Ismail Kadaresë, duke e konsideruar atë një krenari kombëtare.
Balta e lirisë që është përpjekur të ndotë figurën e tij, thjesht ka prodhuar më shumë lule në kurorat që shqiptarët po i vendosin atij këto dy ditë.
Shqipëria ka provuar këto dy ditë se po i dhemb thellë ikja e njeriut më të madh të saj dhe kjo është një vetëdije e lartë kombëtare, që na bën të mendojmë përtej plot dyshimeve që kemi shpesh për shoqërinë tonë, se e kemi merituar Ismail Kadarenë.
Dhe ky nderim nuk mbyllet sot. Sot ai fillon.