I ftuar tek Zëri Amerikës, Kryeprokurori Adriatik Llalla e ka cilësuar si një spekulim mediatik njoftimin dhe më pas përgënjeshtrimin se ai, së bashku me delegacionin e tij në SHBA, do të kishte takime në FBI dhe DEA. Llalla tha se në lidhje me lajmin për mohimin e vizës së kryeprokurorit të Durrësit Agron Gjana, diçka e tillë është e vërtetë, madje sipas tij SHBA nuk kishte besim se prokurori do të kthehej në Shqipëri.
“Duke ju falenderuar, unë ndodhem në SHBA përtë marra pjesë në një konferencë ndërkombëtare. Lidhur me njoftimin që përmendët, mendoj se ky është një spekulim që është bërë pasi në zyrën time nuk ka dalë një njoftim i tillë. Kjo zyrë është transparente dhe nuk ka asnjë njoftim të tillë. Kryeprokurori i Durrësit ishte pjesë e delegacionit tim për në SHBA. Por viza e tij nuk u dha në kohën e duhur për shkak të dokumentacionit. Më pas ajo u anulua fare dhe përgjigja ishte nga ambasada se “nuk besonin se ai do të kthehej më në Shqipëri”, tha Llalla.
Llalla madje dhënë një gjykim të kundërt me atë të Ambasadorit Donald Lu në lidhje me pasuritë e gjyqtarëve. Kohë më parë Lu u thoshte gjyqtarëve dhe prokurorëve se po të shihnin orët e tyre dhe nëse ato do të ishin më të shtrenjta se makina e tij atëherë me shumë mundësi ata do të ishin të korruptuar. Duke ju referuar kësaj fjalie, Kryeprokurori Adriatik Llalla tha
“Në Shqipëri, tashmë është e njohur për të gjithë, që ka një institucion që merret me deklarimin dhe verifikimin e pasurisë, si dhe një që tregon vërtetësinë, e ligjshme apo kundraligjshme. Nëse një zyrtar posedon një pasuri, ai s’do të thotë se është ai është i korruptuar. Nëse ke një unazë të shtrenjtë apo orë, s’do të thotë se je i korruptuar.”