Komisioni Hetimor për ndërhyrjet në sistemin TIMS është mbledhur këtë të martë, ku sipas rendit të ditës do të dëshmojnë tre zyrtarë drejtoresha e SHISH Vlora Hysenaj, kreu i AMP Florian Sulejmani dhe ish drejtori i policisë Ardi Veliu.
Mbledhja nisi me një minutë heshtje në nderim të kolosit të letërsisë shqiptare Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme në moshën 88-vjeçare.
Më pas, në vijim të mbledhjes, drejtoresha e SHISH ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura, teksa theksin e vë tek informacioni i klasifikuar që disponon.
“SHISH nuk i është shmangur raportimit në Kuvend. Lidhur me objektin e raportimit kërkoj që seanca të zhvillohet e mbyllur dhe me praninë e deputetëve që janë të pajisur me certifikatë. Raportimet në Kuvend duhet të mbrojnë informacionet e klasifikuara”, tha Hysenaj.
Por kjo kërkesë është kundërshtuar nga Ervin Salianji, i cili në cilësinë e kryetarit të komisionit, ka akuzuar mazhorancën se po tenton t’i fshihet të vërtetës para publikut.
Sipas tij, informacionet që ka drejtoresha e SHISH për këtë rast, nuk do të cënonin privatësinë e institucionit që ajho drejton, duke propozuar edhe mbledhjen me dyer të hapura.
Por më pas ka qenë zv.kryetari Toni Gogu ai i cili ka thënë që kërkesa e Salianjit të hidhet në votim.
“Zoti kryetar kërkesën tuaj ta hedhim në votim. Që kjo mbledhje të vazhdojë në shinat e ligjshmërisë, hidheni në votim”, tha Gogu
“Jeni të axhituar sot nuk e di çfarë keni. Unë mendoj që i shërben publikut që mbledhja të jetë me dyer të hapura. Lakuriqi i natës nga drita verbohet dhe del vetëm në errësirë. Të heqim median, të heqim dritën dhe të bëhemi si lakuriq nate. Nuk shpëtoni dot”, ka thënë më tej Salianji.
Por pas votimit me shumicë votash vetëm nga socialistët, u mor vendimi që mbledhja të vijojë me dyer të mbyllura.
/a.r