Presidenti rus, Vladimir Putin, duket se ka “shpërfillur” debatin mes kandidatëve presidencialë amerikanë Joe Biden dhe Donald Trump.
“Rusia nuk do të komentojë mbi politikën e brendshme të SHBA-së”, tha Kremlini të premten.
Putini ka shprehur indiferencë ndaj rezultatit të zgjedhjeve të nëntorit dhe zëdhënësi i tij Dmitry Peskov i bëri jehonë kësaj linje, duke thënë se Rusia ka gjëra më të rëndësishme për t’u kujdesur.
“Epo, shikoni, nuk mendoj se ju prisni që presidenti i Rusisë të vendosë një orë alarmi për të parë debatin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” u tha Peskov gazetarëve kur u pyet nëse Putini e kishte parë përballjen.
“Ne kemi shumë çështje që janë vërtet të rëndësishme për vendin tonë, që na shqetësojnë. Këto janë çështjet me të cilat merret presidenti ynë. Diskutimet në Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e agjendës kryesore”, shtoi ai.
Paraqitja e Biden në debat ringjalli debatin nëse ai është shumë i vjetër për të kandiduar për një mandat të dytë.
/a.r