Pas thuajse një viti, kanë dalë rezultatet e Censit të Popullsisë dhe Banesave në gjithë territorin shqiptar.
Përmes një konference për mediat, drejtoresha e INSTAT Elsa Dhuli deklaroi se në Shqipëri janë zyrtarisht 2 412 113 banorë e 755 950 familje. Këto të fundit me madhësi mesatare 3.2 anëtarë për familje.
Bazuar në të dhënat e mbledhura në vend numërohen 1 milionë e 82 mijë e 529 banesa.
“Kam nderin, kënaqësinë e privilegjin që sot të ndaj me ju rezultatet e Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023. Një proces kompleks, por i domosdoshëm. Është një fotografi e çastit që i referohet datës 18 Shtator të organizuar nga Instituti i Statistikave. Gjatë 3 dekadave të fundit në demografinë e vendit kanë ndodhur zhvillime të rëndësishme. Ky aktivitet ofron informacion thelbësor për matjen e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm, për matjen e çdo vendi në familjen e madhe evropiane. Rezultatet do të përdoren që statistikat të bëhen pjesë e sistemit evropian në të ardhmen. U realizua pas disa sfidave, të tërmetit, Covid apo kriza e luftës të cilat e impaktuan procesin. Grumbullimi i punonjësve nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, për të mbuluar çdo metër katror pavarësisht terrenit malor apo zonave të populluara. Trokitja në dyert e qytetarëve, shumë raste edhe disa herë. Transmetimi i qartë i pyetjeve, telefonata për probleme të hasura, orë të gjata pune për të realizuar një proces gjyqësor. Ky proces solli shumë inovacione me armatën prej 7 mijë punonjësish“, deklaroi Dhuli.
Këto rezultate krahasuar me ato të vitit 2011, janë më të ulëta. Vendi ynë ka 409 831 banorë më pak se 13 vite më parë.
/a.r