Nga Denis Dyrnjaja
Mos i sulmoni mjekët duke i futur te gjithë në një thes. Ndarja ne dhe ata nuk është në favor të askujt pasi kjo përballje do të thyente në mënyrë të parikuperueshme besimin te mjekësia dhe njerëzit që punojnë me këtë sektor. Përfytyroni për një çast sikur t’iu sulmonin juve padrejtësisht për një abuzim që bën një koleg apo bashkëpunëtor i juaj. Mendoni një çast që stigmatizimi masiv ndaj bluzave të bardha, nuk prodhon zgjidhje, as histeria kolektive për të gjuajtur “me gurë” të gjitha bluzat e bardha. Mendoni që çdo minutë, në çdo moment që flasim, edhe tani, ndërsa ju po lexoni këto rreshta, një autoambulanve mbërrin në spital me një familjar tonin që kërkon ndihmën e mjekëve dhe asistencën e infermierëve. Për hir të disa batakçinjve, nuk mund të bëjmë pis dinjitetin dhe përkushtimin e të gjithë trupës mjekësore.
Nuk duhet dhe nuk mundet kurrsesi t’i vendosim në “gijotinë publike” ata njerëz që shpëtojnë jetën e fëmijëve tanë, prindërve tanë apo edhe tonën. Duke futur dhe fryrë mosbesim në raportet mjekë/pacientë po fusim njerëzit në paragjykime, dyshime e paranoja për çdo pasojë që mund të ndodhë me çdo pacient jo për shkak dhe fajin e mjekëve. Këto nuk janë fjalë hipokrizie, as fjalët e një gazetari, por një njeriu që jo më larg se 3 javë më parë iu besoi për të operuar një gjendër kancerogjene pikërisht nënën e tij këtyre mjekëve që ne sot po i kryqëzojmë masivisht pa të drejtë. Atë ditë kishte edhe 5 operacione të tjera dhe pashë të njëjtën vëmendje dhe kujdes edhe për pacientët që nuk ishin të njohur ndoshta si unë. Janë disa çaste në jetë kur pasuria dhe fama zhbëhen. Ndaj e theksoj këtë detaj se lidhet me fisnikërinë dhe empatinë e këtyre njerëzve që kanë në dorë shëndetin tonë e të njerëzve tanë.
Ndërsa nëna ime hyri në sallën e operimit, unë u ula jashtë spitalit në një bordurë lulishteje, nuk më shkohej në kafene, doja të rrija aty pranë, sa më pranë, se më dukej sikur po përgjoja frymëmarrjen e nënës sime aty pas një muri. Ato çaste edhe vetë isha thjeshtë një frymor mbi tokë, nuk isha askush, sepse kur vjen çështja te jeta dhe vdekja, të gjithë jemi askush dhe fati ynë dhe i njerëzve tanë delegohet në duart e këtyre njerëzve që ne sot pa të drejtë po i vëmë të gjithë në kryqin e zi të ndëshkimit. Në fakt nuk di të ndaj kush dhe sa e meritojnë këtë kryq ndëshkimi, por sikur dhe një i vetëm të ketë mbetur në anën e ndershmërisë, meriton t’i njihet dhe respektohet dinjiteti. Dhe pse realisht jam i bindur se shumica e trupës mjekësore janë fisnikë e me shpirt human dhe nuk meritojnë të sillemi, e t’i ananatemojmë ata sikur të jemi huliganë.
E di se revolta për atë mënxyrë që u shfaq në publik me një përçmim e tregëti për jetën e të sëmurëve me kancer është e madhe dhe e natyrshme, por ajo nuk mund të shndërrohet në shpagim të padrejtë për gjinekologtët, kirurgët, anestezisttët, mjekët e të gjitha niveleve dhe profileve, infermierët e sanitarët, që me përkushtimin e tyre kontribuojnë çdo ditë për të sjellë jetë e për të shpëtuar jetë. Në këto ditë traumatike për të gjithë opinionin publik, por edhe për bluzat e bardha, unë rreshtohem krah tyre për t’i inkurajuar e thënë se ata nuk janë dhe nuk duhet të trajtohen në asnjë moment dhe formë si kriminelë.
Kush meriton ndëshkimin për abuzime e përfitime të imponuara nga nevoja për shërbim mjekësor të çdo pacienti, le ta marrë dënimin sipas ligjit dhe pa asnjë tolerancë. Por kush e mban të bardhë e të pandotur përparësen e mjekut meriton vetëm mirënjohje e përulje për misionin fisnik që kryen. Jam sot krah çdo punonjësi të shëndetësisë të fyer padrejtësisht për shkak të kolegëve të tyre të zhytur në lakminë e përfitimit mbi jetë njerëzish.
Ke plotesisht të drejtë Denis Dyrnjaja.
Një mjek i tillë human, që ka bërë TAMAM betimin e HIPOKRATIT ( e jo të Hipokritit), është Dr.Prof. Orges Xhevahir SPAHIU, për të cilin dhe ekipin e tijë ndihmës teknik, mund të flas vetëm fjalët më të mira. Shkruesi i këtyre rradhëve, kaloi FERRIN mbas heqjes se një TUMORI femër në grykë, por profesionalizmi PA INTERES fjalë ngrohtë, shpresëdhënës duke të optimizuar për jetën, më bënë që të jem më mirë dhe të kem shpresë për të arthmen.
Nder e Respekt për dr.prof Orges SPAHIUN.