Kryetarja e komisionit të Medias Flutura Açka është bërë sot pjesë e debatit të grupit parlamentar demokrat, pasi shumica e deputetëve kërkojnë ta shkarkojnë nga kjo detyrë, me argumentin se ajo nuk po bën opozitë. Në një reagim për A2 CNN ajo tha se ata që e kanë shkarkuar duan të zënë vendin e saj prej kohësh.
“Ata që e kanë kërkuar kanë kohë që e vuajnë vendin tim. Por e dinë edhe vetë, nuk kanë bërë opozitë më shumë se unë. Në kemi një matës për performancën tonë politike: shqiptarët. Ata gjykojnë më drejt se një tufë interesaxhinjsh pa moral”, u shpreh ajo.
Në mbështetje të Açkës ka dalë edhe deputetit demokrat Kreshnik Çollaku, sipas të cilit ajo i bën nder opozitës dhe Partisë Demokratike.
“Flutura Açka i bën nder Opozitës dhe Partisë Demokratike. Një kolege si Flutura Açka është krenari e privilegj ta kesh në krah. Çdo insinuatë ndaj Flutura Açkës është provokim mediokër e sektar. Modeli i opozitarit me dinjitet, integritet dhe plot qytetari si Flutura Açka është kaq i rrallë këto kohë, dhe po aq i vyer për t’u ruajtur”, shkruan Çollaku.
Në mbledhjen e kësaj të mërkure në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike shumica e deputetëve kanë kërkuar që Flutura Açka, e cila mban pozicionin e kryetares së Komisionit të Medias të shkarkohet nga kjo detyrë, pasi sipas tyre “përveç se nuk po bën opozitë, po pengon dhe punën e opozitës”./m.j