Nga Bedri Islami
“Çfarë po ndodh në Tiranë?”, më pyeti një mik i vjetër, gazetar dhe financier i njohur, që, pas viteve të gjata i burgosur politik në Kosovë, tani jeton në Zvicër.
Kishte qenë në Tiranë dhe, duke ecur si zakonisht në sheshin kryesor, befas , një grup i turbullt njerëzish kishin filluar të ndiznin goma makinash dhe tymrat kishin pushtuar sheshin.
“A janë në vete këto njerëz, – vazhdoi ai, – si të donte të hiqte një pjesë të zemërimit të tij, more, po Tirana nuk është e tyre, bile aspak e tyre. Është e jona, e të gjithëve. Ç’ka dreqin kanë këto zverdhane, që nuk e shohin të mirën a të bukurën?! Nga dreqi vijnë e ngulen aty, se nuk e besoj se janë qytetarë të Tiranës. Kush e do Tiranën, e mbron”.
Çfarë po ndodh në Tiranë?
Mund t’i thosha me pak fjalë se ajo që përsëritet aty nuk është as Tirana dhe as opozita e mençur. Është një nga shfaqjet më qesharake të një opozite të lodhur. Hedhin tymuese, djegin goma makinash, bërtasin, mbajnë fjalime të përsëritura, dëgjojnë se çfarë thonë dy a tre që tashmë duken të lajthitur, përplasen me policinë, shajnë dhe, më pas, si një rutinë të zakonshme, shpërndahen.
Kërkojnë largimin e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, gjë që nuk e kanë arritur në tri palë zgjedhje vendore, ku, në secilën prej tyre kanë humbur gjithnjë e më thellë, për të shkuar te humbja e fundit, që ishte katastrofa më e madhe e opozitës në Tiranë.
Ish-kandidati për drejtimin e bashkisë nga opozita u prin metingashëve. Pas tij bija ish-kryeministrore, edhe ajo e shpallur e pa dëshiruar në Shtetet e Bashkuara, pikërisht për korrupsion madhor dhe pengim të shtetit të së drejtës. Më pas një përfaqësues i partisë së Ilir Metës, një avokate që desh të fusë në satër gjithë pallatet e Tiranës, një a dy aktorë.
Po të bësh një njeri nga secili kopsht apo secila shkollë që ka ndërtuar Veliaj në mandatet e tij bëhen më shumë nga ata që protestojnë.
Po të dëgjosh klithjet delirante të atyre që flasin, e kupton edhe më mirë përse kanë humbur gjithnjë e më thellë dhe se kush ka dashur të qeverisë kryeqytetin e këtij vendi, ku jeton tashmë thuajse gjysma e popullsisë.
Po të gërmosh pak më thellë në pusin e të asaj që ndodh para godinës së bashkisë dhe se çfarë bëhet nga ajo mini-turmë lëvizëse, shumë nga të cilët as nuk banojnë në Tiranë, je më i qartë përse këto njerëz nuk e meritojnë të vijnë ndonjëherë në pushtet.
Opozita ka provuar prej më shumë se 10 viteve të rrëzojë një pushtet që e ka humbur me votë disa herë. Pavarësisht se kush e ka drejtuar atë, në skenë dhe në pas skenë: e ka humbur Berisha, kur ishte në pushtet dhe shumë banda ishin të lidhur me qeverisjen e tij; e ka humbur Ilir Meta kur ishte dora e djathtë dhe shpresa e opozitës, kur shpesh herë ishte vetë në krye të gangsterëve politikë dhe jo vetëm politikë, e ka humbur Lulzim Basha, kur kishte ende shpresë se mund të rifitonte diçka më shumë nga parajsa që e kishin dëbuar.
Humbja ka qenë emri i tyre. Kanë vetëm një fitore, 22 shkurti. Edhe atëherë, si shumë shpejt u dëshmua, nuk fituan, por humbën të tjerët. Ka një dallim të madh mes humbjes që të dhuron fitoren dhe fitores që vjen nga humbja. E majta në 22 shkurt 1992 humbi se ishte ende shpejt për rinovimin e saj politik. E djathta humbi gjithnjë sepse askush nuk e beson se ajo mund të rinovohet. Çka ndodh ditëve të premte para Bashkisë e saktëson këtë.
E majta, megjithëse kishte nostalgjikë, kishte natyrshmërinë të shkëputej nga e keqja. E djathta, që kurrë nuk u bë e tillë, vazhdon të jetë e pa korrigjueshme, e asfiksuar prej “liderit” të saj kalbësirë, që nuk e ka hallin e të pakënaqurve nga pushteti, por hallin e familjes së tij biologjike. Për të tjerat, rolin e tij fals në pluralizëm, në histori, apo tjetër ai e di mirëfilli se kjo do të jetë një pjesë e harruar, në mos më tej se kaq, një pjesë e nëmur.
Gjithë secili tiranas, por edhe banor i rretheve, e di tashmë fare mirë se qyteti i madh i dhjetë viteve të fundit është në një pamje e dritë krejt tjetër. Mund të ketë probleme, si në çdo ritëm të lartë ndryshimi, por ajo që duket është kaq e prekshme. Tirana gjallon e frymon ndryshe, shumë shumë ndryshe.
Është rrjedhë e vizionit ndryshe për qytetin madhor, të gjithë anshëm, të rritur me ritmin më të lartë se kudo tjetër, që i afrohet përditë e më shumë ritmit të qyteteve evropiane. E duan apo nuk e duan kryetarin e bashkisë, njerëzit normalë e pranojnë punën e tij. Që është e prekshme, e dukshme dhe shumë e vlefshme.
Nëse prona e një qyteti rrit vlerën e saj përditë, nëse vetë qyteti rrit vlerën e tij, do të thotë se puna ka lënë gjurmë dhe dukja e saj është e përfitueshme për të gjithë.
Këlliqi, ish kandidati i opozitës për kryetarin e bashkisë, në fakt humbësi më i madh në historinë kryeqytetase, i di fare mirë të gjithë këto, ashtu si e di humbjen e tij. Dalja e tij në protestën rutinë, të cilën vetë duan ta mbyllin, nuk ka lidhje me çfarë ka ndodhur me dy apo tre ish-drejtorë. Më shumë se gjithçka tjetër ai lëshon mesazhet e besnikërisë ndaj shefit të Rithemelimit. Lista e deputetëve të ardhshëm është jo larg dhe shenjat e besnikërisë duhen dhënë të sakta, të përhershme dhe të vazhdueshme.
Nëse mbetet jashtë listës, dhe shkak është humbja e madhe e tij, të cilën Berisha nuk ia harron, atëherë karriera e tij politike është drejt hiçit. Do të jetë rënia e paralajmëruar e një fillestari në politikë, që kurrë nuk arriti të burrërohet. Si shumë të tjerë në rënien e tyre, që vajtën në selinë e opozitës, duke menduar se përmes saj mund të vilen paratë, por kur nuk u gjendën në listat e deputetëve të ardhshëm, apo në funksione të ndryshme, e kuptuan se kaq ishte.
Erion Veliaj, drejtuesi i Tiranës për tre mandate nuk është guri që mund të lëvizet dhe aq më pak të bjerë qeveria. Protesta kundër tij, sado e mjerueshme nga ideja, njerëzit dhe drejtuesit e saj, nuk e rrëzon qeverinë. E as kryetarin e bashkisë. Kjo “protestë” sado mund të jetë e fshehur në qëllimin e saj, ka të bëjë thjeshtë me atë çfarë po ndodh në arrestin shtëpiak të shefit të partisë së tyre. Por qeverisë e bashkisë nuk i luan asnjë tjegull. Jo më ta rrëzojë.
Nëse do të përsëriteshin tani, këto ditë, zgjedhjet e 14 majit të vitit të shkuar, diferenca mes Erion Veliajt dhe Këlliqit do të ishte shumë më e thellë. Kjo nuk është një e dhënë e fshehtë. Është një sekret i hapur, që e dinë edhe në selinë e opozitës së mbaruar. Gomat që digjen nuk janë mendim e as votë, por e kundërta e tyre.
Asgjë më shumë se ata djegës gomash dhe hedhës tymsesh nuk e dëshmon pse fitorja e Veliajt ishte plebishitare në 14 majin e shkuar dhe përse ajo do të ishte shumë më e thellë sot. Shumë shpejt nga 100 vetët e tashëm do të mbesë vetëm Këlliqi, Argita dhe njeriu i deleguar i Ilir Metës. Dhe ndonjë aktor që e mendon sheshin si skenën ku nuk pati kurrë sukses.
Pak vetë në këto vite kalimtare të pluralizmit kanë lënë jetën e tyre në shndërrimin e qyteteve që kanë drejtuar. Shumë prej tyre janë harruar. Kanë ikur pa lënë gjurmë. Ndonjë si Basha do të mbahet mend si drejtuesi që shndërroi bashkinë në hotelin e gjumit të madh të tij.
Socialistët dërguan atje dy figura që e kanë mundur opozitën sa herë kanë dashur dhe e kanë ndryshuar Tiranën duke e bërë më të bukur, më të denjë dhe më të afërt për gjithë shqiptarët./dita