Shkolla e vjetër 9-vjeçare “Avni Rustemi” po rikonstruktohet nga e para, me cilësi dhe kushte më të mira për nxënësit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi ecurinë e punimeve dhe tha se shkolla e re do të jetë një nga shkollat më të mira në Shqipëri.
“Shumë vetë nuk e dinë që kjo është shkolla që ka prodhuar më shumë talente në basketboll. Kjo është arsyeja pse do shtojmë edhe një palestër, por fillimisht, në shtator, do të jemi gati për ndërtesën e madhe. Nga 650 nxënës me dy turne, shkolla do të presë 850 nxënës me një turn. Duke qenë se kemi një pjesë të lagjes të vjeter, por shoh përballë edhe një pjesë të lagjes së re, çka do të thotë se lagjja do vijojë të shtohet me banorë. Është një ndër lagjet më të frekuentuara nga turistët me AirBnb, pra është shtuar levizja e mjeteve, konsumi i ujit i mbetjeve. Ndaj, na duhet që, edhe për familjet e reja, të planifikojmë shkollën e së ardhmes për 20 vitet e tjera, e të mos prekim më shkollën në lagje, për sa kohë që e kemi planifikuar që tani me një volum shtesë. Për regjistrimet e reja dhe në respekt të rrugëve dhe kufizimeve që kemi ndarë në njësi, do t’ju kërkoja prindërve që të kthehen te shkolla “Avni Rustemi”, një nga shkollat më të mira në Republikë, por tani edhe me ndërtesën më të re në Tiranë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku renditi disa nga shkollat e reja për të cilat do të punohet gjatë muajve të verës, për të qenë gati në shtator.
“Këtë verë do të hapim disa shkolla të reja: rihate “Musine Kokalari” pas tërmetit, totalisht e rindërtuar me financimin nga Bashkimi Evropian; hapet “Xhezmi Delli”, po ashtu edhe “Myslym Keta”. Kemi disa shkolla të tjera në zonat rurale, me kolegët e ambasadës amerikane, ne po punojmë për shkollën në Farkë dhe në Arbanë. Këtu do të shtojmë edhe parashkollorin, që nuk ka qenë më parë. Me parashkollorin dhe 850 nxënës që kalojnë paradite dhe palestrën e re, them se nuk do ketë dhuratë më të bukur për qytetarët e Njësisë 10 kur të kthehen nga pushimet, se sa shkolla e re në zemër të Tiranës. Mezi pres që këtë buqetë të fundit të shkollave ta hapim këtë shtator, e pastaj të kemi paketën finale me shkollat e Astirit, shkolla te Liqeni i Thatë dhe Kopshti Botanik, shkollat e Saukut, shkolla te Kryegjyshata, si dhe një shkollë tjetër që jemi duke planifikuar në zonën e Freskut”, tha Veliaj.
Në fund, kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës të tregohen të mirëkuptueshëm, në mënyrë që ekipi i terrenit të punojë me ritme të shpejta këto dy muaj vere.
/a.r