Policia e Rendit në qytetin e Shkodrës ka ndërmarrë një aksion të befasishëm, duke ndëshkuar me gjoba deri në bllokim automjetesh prokurorët, gjyqtarët dhe avokatët. Mësohet se patrulla e përgjithshme e Policisë me në krye shefin e rendit, Saimir Rrustemi u përqendrua ditën e djeshme në rrugën “Don Bosko”, segment ky ku ndodhen institucionet më të rëndësishme të qytetit verior siç është Gjykata e Shkallës së Parë dhe konsullata italiane.
Detyrat ishin të qarta për blutë, të cilët përveç automjeteve të rastësishme, do t’i gjobisnin pa përjashtim çdo makine të punonjësve në administratën e gjykatës që kishin parkuar gabim. Në rrugën “Don Bosko” nuk mund të parkosh, por pavarësisht kësaj, çdo ditë janë parkuar aty me dhjetëra makina pa marrë parasysh tabelën e ndalim-parkimit.
Aksioni i djeshëm i ka kapur mat “VIP”-at e drejtësisë në Shkodër, pasi kishin parkuar mjetet në kundravajtje të plotë. Burime nga policia lokale bënë me dije se dje janë vendosur mbi 30 masa administrative, heqje e lejes së qarkullimit e deri në bllokim të automjeteve. Pas verifikimeve, rezultoi se disa nga automjetet u përkisnin gjyqtarëve dhe avokatëve.
Sipas burimeve të mësipërme, gjobat kanë variuar nga 1 mijë lek të reja e deri në maksimumin e mundshëm. Kështu, mbi 5 mjete janë shoqëruar në komisariatin e Shkodrës, ku 2 prej të cilave u përkisnin avokatëve, të cilët rezultuan se kishin siguracionin e papaguar. Ky aksion u ndërmor, pasi në segmentin ku ndodhet Gjykata e Shkodrës dhe konsullata italiane, për shkak të parkimeve në të dyja anët e rrugës, qarkullimi është i vështirë dhe jo rrallëherë krijohet kaos në trafik.
Po sipas burimeve nga Policia e Rendit, aksioni do të vijojë në vazhdimësi deri disiplinimin e shoferëve. Paralelisht ky segment do të mbahet në monitorim të plotë çdo ditë nga policia, ndërsa janë njoftuar edhe togat e zeza në Gjykatën e Shkodrës./BW