Nga Mero Baze
Nëse ka diçka që e ka bërë banale gjithë aksionin politik të Berishës për t’i rrëmbyer vulën dhe partinë Lulzim Bashës, është Argita Berisha. Shfaqja e të bijës së tij si pretendente për fronin, me aprovimin dhe nxitjen e vet Berishës, ka zhveshur aksionin politik për përçarjen e PD nga shtatori i vitit 2021, nga çdo demagogji dhe gënjeshtër e Berishës.
Të gjithë ata që donin të besonin se Bashën ja kishte çuar Edi Rama dhe SHBA ta hidhte në erë, ata që besonin se Basha i kishte shitur zgjedhjet çdo herë tek Rama, ata që besonin se Rama dhe Basha bëri marrëveshje për bashkëqeverisje më 2017 pa leje të Berishës, ata që besonin se Basha i hoqi nga Kuvendi dhe zgjedhjet e më tej, ata që besonin se Basha ishte kolonë e pestë dhe duhej një PD e re, tani e kanë në dorë gjithë produktin skarco të kësaj maratone gënjeshtrash.
Është Argita Berisha. Gjithçka është bërë për të.
Dhe pasi kjo u bë e qartë tani, natyrisht ka mijëra demokratë që më së paku janë tërhequr nga beteja për Berishën e fëmijët e tij, dhe shikojnë punët e tyre, pa u ikur inati me Lulzim Bashën, që i la tashmë në dorë të fëmijëve të Berishës.
Duket se këtë e ka ndjerë dhe vetë Sali Berisha dhe po përpiqet ta korrigjojë këtë trashëgiminë fisnore të PD tek Argita.
Sot ka dhënë intervistë për një media online të diasporës në Angli, ku thotë se Argita do konkurrojë, nuk do të ndjekë linjën familjare për të marrë trashëgimin e PD.
Dhe ky është një cinizëm i pamëshirshëm ndaj PD. E cila nuk do ishte kjo që është katandisur sikur demokracia e brendshme të funksiononte. Votime ka pasur gjithmonë, por zgjedhje të lira kurrë. Garë asnjëherë.
Kështu që Berisha e ka më mirë të thotë nëse e do Argitën kryetare të PD apo jo, se për votime pastaj nuk ka shumë rëndësi, e zgjedh Flamuri rezultatin.
Por fakti që ai është vënë në siklet dhe po përpiqet ta justifikojë ambicien e vajzës së tij duke u dhënë garanci demokratëve me “demokracinë e brendshme”, tregon se ai e ka marrë atë vendim dhe po përpiqet t’i qetësojë demokratët me ilaçin më të skaduar që ka përdorur në PD në vite, demokracinë e brendshme.
A thua se ka ndonjë alternativë tjetër përveçse ta zgjedhë kryetare me një proces votimi formal. E quan fitore të madhe që ai nuk po e emëron pa votime fare.
Dijani për nder këtë dhe shijojeni gjithë këtë katrahurë trevjeçare, për të zëvendësuar një “nograta” të vjetër që po i vjen fundi biologjik, me një “nongrata” më të re në moshë që do t’ja shtyjë në përjetësi agoninë PD.