Lulzim Basha do të jetë në listën e Sali Berishës për zgjedhjet e vitit 2025. Deklarata e fortë u bë në studion e Ditarit me Denisa Pashollin në A2 CNN, nga deputeti demokrat Dashnor Sula. Sipas tij, Basha ka qenë administrator i PD-së, por vendimet i merrte Berisha.
“Unë shikoj që në fund Basha do të jetë në listën e Sali Berishës. Budallai unë kam ngelur që i bie murit me kokë. Berisha do të thotë që; për hir të opozitës edhe Luli na duhet se ka qenë 8 vjet kryetar, të futet në listat e PD. Këtë duhet të kuptojmë të gjithë. Do shohim si do bëhen ndryshimet në kod zgjedhor. Është për t’u parë Basha nuk ka qenë kurrë kryetar i PD, por administrator, pronar de facto ka qenë Berisha. Mentor i Bashës ka qenë Berisha diktimin e vendimeve ka marrë Berisha. Nuk është fuqia e Bashës non grata”.
Deputeti demokrat i bëri thirrje Berishës që të distancohet nga kandidimi për kryeministër në zgjedhje dhe të mos riciklojë figurat që nuk i duan qytetarët. Nëse PD vijon në këto kushte sipas Sulës, nuk ka shanse për fitore.
“Padiskutim Sali Berisha është kryetar i PD, ka shumicën e demokratëve, por këto nuk mjaftojnë për të ardhur në pushtet, edhe 49% të marrë nuk e merr dot pushtetin. Kam kërkuar gjithmonë që ne duhet të jemi bashkë, por nëse ti thua me kushtet që Sali Berisha dikton, mua nuk më jep besim. Nëse do vijosh me figura riciklim pas riciklimi ne nuk kemi alternativë nuk mund të fitosh riciklimin e vitit 2013 e në vijim që t’i ka përbuzur elektorati shqiptar. Sali Berisha duhet të deklarojë publikisht deri në shtator që nuk është kandidat për kryeministër dhe nëse bën këtë i ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm PD-së e opozitës dhe shanset për të ardhur PD-ja në pushtet ekzistojnë, por në këtë gjendje shanset janë zero. Kjo është zgjuarsi politike, sikurse Ali Ahmeti në Maqedoni, apo PDK e Kosovës, të ndahet posti i kryeministrit të kesh një model ndryshe nga mazhoranca sot”.
Dy kandidaturat më të mira për të qenë kryeministër dhe për t’u përballur me Ramën, sipas Sulës janë Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi.
“Bardhi e Tabaku janë kandidatë të mundshëm për kryeministër që janë ndryshe nga Rama e mazhoranca, të pakorruptuar dhe me vizion që do të bëjnë ndryshimin. Figura e kryeministrit duhet të ndahet nga figura e partisë. Berisha duhet ta bëjë për demokratët, por ata demokratë e kanë bërë president dhe kryeministër. Nëse do të mendojë për vete e familjarët e vet e ka shkatërruar të djathtën”.
Vendimin e Alibeajt për t’u larguar nga grupi demokrat, Sula e shikon si një zgjedhje të tij, por nuk ia fal që e futi PD-në në rrugë pa krye.
“E respektoj Alibejan, është zgjedhje e tij, është integritet, por Alibeajt nuk i falet. Është njeriu që e futi PD-në në këtë rrugë pa krye pas zgjedhjeve të 6 marsit. Zgjidhja jonë duhet të ishte jo me vendime gjykatash, por të ishim votuar e zgjedhur me anëtare në një proces legjitim dhe të vinte bashkimi real dhe PD nuk do të ishte çarë kaq keq. Ishte një sjellje tinëzare për të rikthyer Bashën dhe i dha oksigjen Sali Berishës. PD nuk është çështje gjykatash. Dëmi që i Alibeaj ka bërë është i jashtëzakonshëm”.
/a.r