25 pyetje për sociologun e mirënjohur Fatos Tarifa:
1. Cili është motivi juaj kryesor në jetë?
Ta jetoj atë, jo të jetoj gjatë.
2. Keni shumë shokë e miq?
Aq sa janë të nevojshëm për t’u ndjerë mirë dhe i vlerësuar në shoqërinë e tyre.
3. Është e lehtë për ju të bëni shokë dhe miq të rinj?
Nuk ka qenë asnjëherë e vështirë nëse kam njohur dikë që më ka pëlqyer dhe për të cilin kam besuar se mund të jetë një shok ose një mik i mirë për mua dhe unë për të.
4. Çfarë cilësish vlerësoni më shumë te miqtë dhe shokët tuaj?
Urtësinë, sinqeritetin (të qënit i vërtetë), inteligjencën, besimin, vlerësimin dhe mbështetjen reciproke, qytetarinë në sjellje.
5. Ka ndodhur të zhgënjeheni prej ndonjërit prej shokëve apo miqve tuaj?
Po. Në disa raste.
6. Cila ka qenë arsyeja?
Mungesa e vlerave që përmenda më sipër kur rasti e ka kerkuar që t’i provonin se i kishin ato vlera.
7. Lexoni çdo ditë?
Pa dyshim. Çdo ditë, pavarësisht rrethanave. Is there life without reading?
8. Letërsi artistike?
Gjithnjë e më rrallë. Letërsia ka qenë një bazë e shëndoshë dhe e domosdoshme për formimin tim letrar, kulturor dhe estetik veçanërisht në moshë të re.
9. Cilët autorë i kanë shërbyer në rininë tuaj formimit që thoni?
Klasikët e të gjitha epokave, nga lashtësia greko-romake, te klasikët italianë të Rilindjes (Dante e Bokaçio), Shekspiri e Servantesi, Montenji, Mori dhe Erazmi, Rusoi e Monjteskjë, Gëte e Shileri, Diksen, Balzaku e Stendali, Tolstoi e Dostojevski, Cvajgu e Çehovi, Xhorxh Bernard Shou, Heminguei etj. Këta të gjithë është mirë të lexohen në moshë të re, sidomos në vitet e gjimnazit. Kjo është periudha më e rëndësishme për formimin kulturor të çdo individi. Defiçitet kulturore që krijohetn në këtë moshë thuajse asnjëherë nuk kompensohen dot. Çdo moshë më pas ka preokupimet e veta.
10. Cilat vepra letrare janë të fundit që keni lexuar?
Një roman i jashtëzakonshëm, “Ali and Nino”, nga Kurban Said, dhe një përmbledhje poezish, titilluar “The Flame”, nga kantautori u shquar kanadez Leonard Cohen.
11. Përveç letërsisë, çfarë lexoni kryesisht?
Në moshë të re më kanë tërhequr filozofia dhe historia. Më pas sociologjia, antropologjia kulturore dhe politika, sidomos politika ndërkombëtare (dhe gjeopolitika). Leximet më të shumta sot janë në këto fusha.
12. A nuk janë këto fusha shumë larg njëra-tjetrës për të qenë preokupime intelektuale të një sociologu?
Aspak. Shumë sociologë të njohur i kanë shtrirë analizat e tyre përtej kufijve të sociologjisë. Sociologjia është një disiplinë ekumenike, e hapur në shumë drejtime. Immanuel Wallerstein, Seymour Martin Lipset, Amitai Etzioni, Anthony Giddens e shumë sociologë të njohur nga mesi i shekullit të 20-të e këtej janë marë me studimin e politikës (amerikane e asaj ndërkombëtare) dhe të politikave. Shumë çështje të rëndësishme politike, ose që kanë të bëjnë me politikat sociale në vende të veçantë apo në nivel ndërkombëtar, mbeten pa zgjidhje, ose nuk kanë gjetur zgjidhjet e duhura për shkak se shumica e politikëbërësve dhe e atyre që i këshillojnë ata janë më të njohur me parimet e shkencës politike e të ekonomisë, se sa me sociologjinë dhe antropologjinë. Pa marë parasysh realitetet sociologjike e kulturore dhe pa studiuar nga afër kushtet strukturore që qëndrojnë në themel të mosfunksionimit ekonomik e politik të shoqërisë, çka është detyra e sociologëve dhe e antropologëve socialë, idetë dhe përpjekjet e politikanëve e të ekonomistëve nuk do të mjaftonin.
13. A keni pasur dhe a keni bashkëpunëtorë në punën tuaj krijuese?
Në raste të veçantë kam bashkëpunuar me kolegë (të huaj dhe shqiptarë) dhe kam botuar si bashkëautor me ta një numër artikujsh shkencorë në perëndim. Disa prej tyre janë Jay Weinstein, Bas de Gaay Fortman, Marion Kloep, Benjamin Adams, Peter Lucas, Monica di Monte e ndonjë tjetër.
14. Më lejoni tani t’ju bëj disa pyetje, në dukje të parëndësishme, por që, nëse i referohemi komedianit të njohur amerikan Stephen Colbert, dëshmojnë diçka për për botën tuaj shpirtërore.
Pa të shohim ç’pyetje janë.
15. Ngjyrat tuaja të preferuara?
E bardha dhe e zeza.
16. Kafsha shtëpiake e preferuar, qeni apo macja?
Kali.
17. Muzika juaj e preferuar?
Jazz dhe Blues.
18. Lloji i ushqimit tuaj të preferuar?
Ai mesdhetar.
19. Hobby kryesor që keni?
Udhëtimet jashtë vendit, kryesisht në vende të largët, kurdo që mundësitë financiare më lejojnë.
20. Arsyeja kryesore pse udhëtoni?
Kurioziteti dhe dëshira për të njohur popuj dhe kultura të ndryshme. Udhëtime janë një shkollë më vete, një shkollë e madhe nëse di ç’të kërkosh e ç’të mësosh prej tyre. Studentët e mi i këshilloj që, sa janë të rinj, me kursimet e tyre vetëm të udhëtojnë.
21. Cili është vendi më interesant që keni vizituar deri më sot?
Janë shumë. Në mendje para së gjithash më vjen arqipelagu i ishujve të Marianave Veriore (kryesisht Saipan dhe Tinian), terrirore të Shteteve të Bashkuara në Paqësor.
22. Në Europë?
Disa qytete të vegjël bregdetarë në Itali dhe qytetet e Sicilisë, që dikur kanë qenë pjesë e perandorisë helene në Mesdhe, e njohur si Magna Graecia. Veç tyre, disa qytete historikë në Hollandë (Delft, fjala vjen) dhe Islanda, si një kuriozitet që më është dhënë mundësia ta shuaj.
23. Në Shtetet e Bashkuara, ku keni jetuar për një kohë të gjatë?
Mbi të gjithë veçoj qytet New Orleans, San Francisco dhe Honolulu.
24. Në vendin tonë? Cilët qytete të Shqipërisë janë më pranë zemrës suaj?
Gjirokastra, sigurisht, dhe Tirana, pa dyshim.
25. Çfarë ndodh pas vdekjes?
Po u përgjigjem me fjalët e Epikurit e të Lukrecit, që mund t’i thoja si të ishin fjalët e mia: Askush nuk u kthye nga ajo botë mes nesh të na tregojë se ç’është vdekja . Arsyeja më thotë, si edhe juve besoj, se vdekja është fundi ynë si qenie. Pas saj, me fat janë ata që mbeten në kujtimet e të gjallëve./Dita