Nga Ylli Pata
Vendimi i Apelit të Londrës për rastin Sali Berisha nuk se ishte ndonjë lajm i madh. Dukej më shumë një rutinë proceduriale.
Thelbi i kësaj çështjeje, është politik, në një vend anëtar të NATO-s dhe partner i Perëndimit si Shqipëria. Sali Berisha, njeriu më i fuqishëm i opozitës në vend, është konfirmuar sërish Non Grata në Britaninë e Madhe. Siç ka ndodhur në 2021 në SHBA.
Këtë vendim nuk e ka pranuar si Berisha, familja e tij, por edhe mbështetësit politikë dhe mediatikë. E kjo është krejt dialektike. Si ta mbështesin këta njerëz një vendim të rëndë për personin që disa e duan, e disa të tjerë i detyrohen?
Thelbi këtu është se si një opozitë nuk merr akt nga ky qëndrim që është baza e çdo gjëje.
Justifikimi që Berisha ka vota nuk qëndron. Sepse nëse Sali Berisha jep dorëheqjen nga ofiqet politike opozita shqiptare do ta marrë të njëjtat vota. Ata vota që refuzojnë PS-në janë, kanë qenë dhe do të jenë pak a shumë në një linjë politike. Për Sali Berishën personalisht ka aq vota sa ai ka marrë si deputet i Tiranës në vitin 2021. Nëse Sali Berisha do të kërkojë një referendum se sa shqiptarë duan që ai të jetë lider i opositës, edhe mund ta bëjë, por në sondazhe del ibret jalem.
Nuk ka lidhje të votuesve të opozitës me personazhin Sali Berisha, se këtu është dhe duhet të jetë qëndrimi që duhet të mbajë lidershipi i opozitës ndaj Berishës.
Aktualisht e dime që ky qëndrim është i prerë vetëm nga disa politikanë të rinj që s’kanë qenë në PD. Kurse të tjerët edhe në formacionin e Lulzim Bashës, ende mendojnë për një bashkim, madje e tha vetëm Basha.
Po si mund të ketë bashkim me një njeri të konsideruar të padëshiruar nga aleatët e Shqipërisë ?
Ky është vërtetë debati që duhet bërë, e në fakt është bërë. Madje bëhet çdo natë. Berishën e do populli thonë. Po cili popull kur ai del 70% kundër?
Ky është problemi real. Sot nuk ka një lider opozitarë që të thotë troç e qartë se me Sali Berishën, opozita e PD-së de aleatët e saj nuk e fiton simpatinë e SHBA, Britanisë së Madhe e Perëndimit. Por ka një pakicë që thotë se edhe pa simpatinë e SHBA, Britanisë së Madhe e BE, Sali Berisha mund të qeverisë. Po me kë? Me kundërshtarët e Perëndimit: Rusinë e Kinën.