Shumë e njohin si aktore, disa më të mëdhenj në moshë edhe si këngëtare, por të gjithë e njohim si princesha shqiptare, titull që e fitoi pas martesës me Princ Lekën. Elia Zaharia ka pasur një vit jo të lehtë, ku divorci i saj konfliktual mori vëmendjen jo vetëm të mediave tona, por edhe atyre ndërkombëtare.
Në daljet e saj publike e kemi parë gjithnjë klasike, ku stili prej princeshe e karakterizonte. Por në të përditshmen e saj, Elia zgjedh gjithnjë komoditetin para klasikes. Tashmë, që e ka humbur edhe titullin princeshë, ajo është rikthyer te stili sportiv që e karakterizon. Paparaci ynë e ka fotografuar ditët e fundit në zonën e Bllokut, ku për shumë mund edhe të ishte e vështirë të njihej.
E veshur me xhinse të gjera dhe një ‘T-shirt’ sportive, ajo kishte mbledhur flokët dhe kishte vendosur edhe një palë syze dielli, si për t’iu fshehur syve të kureshtarëve. Duhet thënë se kjo është ndër shkrepjet e para që vijnë nga Elia që pas divorcit të saj me Lekën. Dhe pamja tashmë duket tërësisht e transformuar, duke nxjerrë në pah anën sportive të sajën.
Që kur doli në pah ndarja e saj nga Leka, ajo ka zgjedhur që të mos flasë për mediat. Të vetmin reagim të sajin e bëri në rrjetet sociale, ku edhe konfirmoi ndarjen, duke u shprehur se martesa i kishte humbur funksionet. Megjithatë, që atëherë, ajo ka zgjedhur të heshtë, duke vijuar me angazhimet e saj. Në rrjetet sociale e kemi parë që i është rikthyer teatrit, ku për publikun është rikthyer si aktore në skenë.
Sakaq, këtë javë, Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Princ Lekën, ishbashkëshorten e tij Elia Zaharian dhe babanë e kësaj të fundit Gjergj Zaharia. Princ Leka, ish-bashkëshortja e tij, Elia Zaharia dhe babai i kësaj të fundit, Gjergj Zaharia akuzohen për dhunë në familje. Hetimet nisën pas publikimit të një video dhe kallëzimit në prokurori për dhunë në familje.
Më 25 prill Gjykata e Tiranës vendosi zgjidhjen e kurorës martesore mes Princ Lekës dhe aktores së njohur. Në vendimin e gjykatës thuhet se çifti, prindër të një vajze të vogël, kanë vendosur të ndahen pasi kanë pasur konflikte të vazhdueshme, mungesë komunikimi dhe se kishin ndërprerë bashkëjetesën.
Kështu hidhet poshtë se martesa është zgjidhur për shkak të tradhtisë së Princ Lekës ndaj Elia Zaharias. Konfliktet e çiftit u bënë publike pas qarkullimit të një videoje, ku Leka, Elia dhe babai i saj konfliktoheshin fizikisht mes tyre.
Ndërkohë pas këtyre pamjeve ata përfunduan në gjykatë, me urdhër mbrojtjeje ndaj njëri-tjetrit. Ndërsa Elia i është rikthyer jetës së saj profesionale dhe ngjitjes në skenë me disa vepra, nga ana tjetër Leka po shijon lidhjen e tij të dashur./Panorama