Nga Preç Zogaj
I drejtë a i pa drejtë vendimi i Gjykatës së Apelit rimon me politikën e muajve të fundit të shumicës socialiste që ka njohur si PD grupin e Rithemelimit. Rama me të tijtë, de fakto, ia kishin dhënë “vulën” këtij grupi para se të shprehej gjykata. Me arsyetimin e pranimit të një realiteti të ri në Kuvendin e Shqipërisë, ku grupi parlamentar rreth Berishës ishte bërë shumicë.
Për shkak të përfshirjes, vendimi i Apelit “rimon” vetvetiu edhe me një nuancë të qëndrimit të zyrtarëve amerikanë ndaj Rithemelimit. Ata kanë qenë e janë të prerë se SHBA nuk angazhohen me një të shpallur non grata prej tyre, pra me Sali Berishën. Por duke parë zhvillimet në kampin opozitar, sidomos tkurrjen e grupit të Bashës, kanë mbajtur kontakte publike me politikanë dhe deputetë që kishin qenë apo janë bërë pjesë e Rithemelimit. Reklamimi publik, me gjasë konsensual i këtyre kontakteve nga këta të fundit dhe pauza e gjatë e Bashës nga ana tjetër në ekspozimin e mbështetjes nga Departamenti i Shtetit kanë ushqyer fluksin e kalimit të deputetëve nga grupi i Bashës te grupi i Berishës. Njëherësh hedhjen në qarkullim të tezës se SHBA janë dyermbyllur me Berishën, por jo me deputetët rreth tij.
Natyrisht, nuk them se Rama ka diktuar vendimin e trupës së Apelit. Nuk them se ekuidistanca amerikane ndaj dy grupeve në PD ka favorizuar me tendencë Rithemelimin. Nuk imagjinohet. Por gjyqtarët janë pjesë e mjedisit politik të vendit. Ata e jetojnë si gjithë të tjerët gjendjen politike. Ata madje e reflektojnë atë në punën e tyre kur u duhet të merren me çështje me karakter të theksuar politik, siç ishte ajo për vulën dhe logon e Partisë më të madhe opozitare. Reflektimi në fjalë gjen shprehje të qartë në vendimin e tri gjyqtareve të Apelit për t’i prerë drutë shkurt, duke e lënë pa përgjigje pyetjen kyçe që ka ngërthyer gjithë konfliktin dhe korridën për vulën dhe logon: pyetjen “a ka qenë në përputhje me statutin në fuqi të PD-së thirrja dhe zhvillimi i Kuvendit të 11 dhjetorit nga Berisha”? Në vend të hetimit shterrues të zanafillës së konfliktit, siç qe paralajmëruar nga komentuesit e vendimit të Gjykatës së Lartë që ia ktheu çështjen për rishqyrtim Apelit, trupa e re gjykuese e mbylli me artificën e moslegjitimit të ankimimit nga pala e dëmtuar. Sipas logjikës së tyre Basha dhe Alibeaj duhej të kishin marrë pjesë në Kuvendin e konsideruar prej tyre të paligjshëm që në krye të herës. Përndryshe nuk legjitimoheshin për të ankimuar. Edhe pse në kohën kur Berisha thirri Kuvendin e tij të 11 dhjetorit 2021 ata ishin PD-ja zyrtare, ishin legjitimë në krye të saj. Edhe pse Kuvendi i Berishës i konsideroi të shkarkuar de fakto pa u mbledhur akoma.
Ligji mund të këtë labirinthe dhe intepretime që i dinë më mirë juristët, por logjikë të thjeshtë nuk shoh të ketë këtu.
Sidoqoftë, PD-ja tani i ka kaluar grupit të Rithemelimit që përbën shumicën në grupin parlamentar dhe në elektoratin e rrudhur demokrat. Nga kjo pikpamje, vendimi i Apelit, edhe pse mund të jetë i padrejtë jurdikisht, ka bërë “drejtësi” sa i takon numrave.
Kjo nuk do të thotë se grupimi rreth Bashës apo fragmentet e tjera të PD-së të presin duarkryq çfarë do t’u servirë grupi më i madh. Gjetja e rrugëve për maksimalizmin e votave opozitare për një qëllim të përbashkët, largimin e qeverisë së Ramës, meriton të jetë preokupimi numër një i gjitha forcave të aqipelagut opozitar. Jashtë një formule të bashkimit të votave opozitare, largimi i socialistëve nga pushteti është retorikë, demagogji.
Asnjë grupim nuk e arrin dot këtë pa të tjerët.
A është i mundur gjetja dhe vënia në jetë e një formule të tillë pas konflktit që kanë përjetuar dy pjesët e PD-së nga shtatori i vitit 2021 e deri vonë? Patjetër që është i munduar. Realpoltika, pragmatizmi, qëllimet e përbashkëta kanë mundësuar kapërcime konfliktesh shumë më të mëdha. Aq më shumë po të mbajmë parasysh faktin se vendimi i Gjykatës së Apelit e gjeti në tërësi marrëdhënien mes tyre në gjendjen e uljes ditë pas dite të armëve dhe kalimit dora-dorës nga ajo e luftës së paskrupullt nga pala e Rithemelimti te ajo e garës për t’u rritur se kush në vetvete.
Por siç e kemi theksuar që në titullin e këtij shkrimi barrën e propozimeve e ka Berisha.
Thirrjet e tipit “dera është e hapur për të gjithë ata që duan të vinë” janë slogane tufe që shumë shumë mund të joshin ndoca individë, por nuk kanë vlerë për një subjekt politik të organizuar siç është sot ajo që deri dje ishte Partia Demokratike zyrtare me kryetar Lulzim Bashën. Në zgjedhjet vendore të vitit të shkuar në drejtimin e Enkelejd Alibeajt, PD zyrtare mori mbi njëqind vota për këshilltarët bashkiakë. Vota të arta në kushtet e një fushate të pjeshme, pa financim, të sabotuar nga shumë drejtime, pa pjesëmarrjen asnjë ditë të Bashës, ndërkohë që Sali Berisha bënte thirrrje papushim “asnjë votë për partinë e Alibashës ”. Sondazhet publike që bëhen në Shqipëri e kanë mbajtur përgjithësisht në vendnumëro këtë shifër pas rimarrjes së drejtimit të Partisë nga Basha. Përgjatë një viti nga rikthimi i këtij të fundit, kjo parti ka zhvilluar kuvendin e saj, ka zgjedhur forumet dhe strukturat, ka shpalosur një program për qytetarët.
Nuk mund ta dimë impaktin elektoral të këtij programi sa kohë që publikimi i tij nuk përkoi në kohë me sondazhet mujore që zhvillojnë dy kompani në televizionet Euronews Albania dhe Report TV. Por një impakt do ta këtë dhënë patjetër.
Sidoqoftë, morali i fabulës për sa po themi është ky: nëse kërkon ta shërbejë seriozisht bashkimin, PD e Berishës duhet të ketë një kuptim të drejtë se çfarë përfaqësojnë këto njëqind e ca mijë vota. Më tej, të ketë një kuptim të qartë se çfarë përfaqësojnë dy-trefishi i tyre, votues të PD-së në vitin 2021, që nuk janë as me Berishën, as me Bashën. Trajtimi me respekt i këtyre njerëzve kërkon një qasje institucionale ndaj subjektit që përfaqëson të parët dhe ndaj arsyes pse janë më mes neutralët. Jashtë kësaj sigurisht çdo individ është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij.
“Bashkimi në diversitet” përmendet shpesh nga deputëtë që kanë qenë me PD-në e Bashës dhe kanë kaluar me atë të Berishës. Tingëllon më shumë si një slogan për të justifikuar zgjedhjen, pasi nuk shihet të ketë lulëzuar diversiteti. Përkundrazi. Sidoqoftë, është rasti të vihet në dukje qartë dallimi midis diversitetit dhe fraksionit. Diversiteti është verbal, fraksioni është përfaqësim brenda subjektit, i rregulluar me norma të qarta statuore.
Veç fraksionit, një formulë tjetër është institucionalizmi i opozitës plurale, për të cilën jam shprehur disa herë në shkrime dhe në emisione. Janë zgjidhje apo formula që mundësojnë një shumare fituese përtej vijave ndarëse që kanë krijuar ndarjen. Që janë kryesisht sanksionimi non grata i zotit Berisha dhe qëndrimi ndaj SPAK dhe organeve të drejtësisë.
Qëndrimet e SHBA, siç e shënuam më lart, janë të pandryshueshme ndaj Berishës dhe çdo të sanksionuari tjetër. Por deputetë të PD-së së tij ka kohë që takohen, priten, punojnë, fotografohen me zyrtarë amerikanë të Departamentit të Shtetit. Ndërkohë që ata të euroatlantikes, paradoksalisht, ka kohë që nuk ekspozojnë takime të tilla. Këto janë fakte. Para disa kohësh botova një shkrim me titullin “Ndryshim qëndrimi nga SHBA apo spekulime shqiptare” ku trajtova gjestin domethënës të Gazmend Bardhit, i cili me tu kthyer nga Uashingtoni ku kishte takuar zotin Eskobar, shkoi për herë të parë në ritualin poshtë ballkonit të apartamentit ku zoti Berisha gjendet në arrest shtëpiak. Zhvillimet pas botimit të atij artikulli me kanë bërë të mendoj se spekulime shqiptare nuk ka patur. Më e pakta. Ndërkohë që Departamenti, duke rujtur boshtin e qëndrimeve, sigurisht që nuk injoron realpoltikën. Që na thotë se opozita e madhe ka mbetur Rithemelimi, ndërsa tjetra s’ka mundur të rritet. Realpolitika në kushtet tona vlen për të kuptuar se ka arsye për të ruajtur një bosht parimësie, por nuk ka arsye për të qenë më katolikë se papa, siç thotë shprehja e njohur.
Sa i takon qëndrimeve ndaj SPAK, qëndrueshmëria, forcimi i vazhdueshëm i tij kanë garancinë e ligjit dhe vetë integritetit që po dëshmojnë prokurorët me Dumanin në krye. Sigurisht kanë garancinë e mbështetjes prioritare e të fuqishme nga SHBA. SPAK do t’u shkojë deri në fund hetimit të aferave të paligjshme të politikanëve dhe ish politikanëve të lartë. Pavarësisht mburojave politike që venë.
Aktualisht, ndërsa dihet se Berisha, Meta kanë qenë gjithnjë kundër SPAK, kurse PD në tërësi ka notuar nepër ekuivoke jo të pakta për drejtësinë e re, aktualisht rreziku më i madh që përligj vigjilencën e partnerëve dhe publikut shqiptar vjen nga kryeministri Rama. Ky, ndërsa ka parë se SPAK po shkon larg dhe po hedh në erë hap pas hapi korrupsionin kapilar të qeverisë e bashkë me të edhe gjithë fasadën propagandistike të saj, i vjen rrotull herë me kërcënime e herë me nisma si e si që ta dekurajojë e devijojë nga kursi. Në këtë përpjekje antihistorike që ka për qëllim të kthejë pandëshkueshmërinë në sferat ku operon vetë, zoti Rama shpreson të ketë konsensusin e PD-së, duke llogaritur hallin e Sali Berishës. Por ky e di se do të turpërohej si asnjëherë tjetër nëse shkëmben hallin e tij me korrupsionin kapilar të qeverisë. Nuk do të arrinte gjë, veç të tjerash.
Berishës do t’i mjaftonte mospërfshirja në superkomisionin e Ramës. Nuk i duhet kërkuar me shumë. Njeriu nuk mund të mbështesë akuzatorët e tij.
Për tu kthyer ku e nisëm: formulat e bashkimit, edhe magjikë po të jenë, kanë potencial të kufizuar në kushtet kur vetë i zoti i punës është i sanksionuar. A mund të imagjinohet fitorja në këto kushte? Unë them jo. Por edhe sikur të mendoja se lajthit populli, pra të thosha “po”, do të shtoja se nuk duhet. A mund të imagjinohet që Shqipëria në NATO të ketë për kryeministër një të sanksionuar nga vendi që e udhëheq NATO-n? Pa qenë nevoja të shohë ëndrra me sy hapur, Berisha, tani që mori edhe sadisfaksionin e vulës, duhet të marrë një vendim që lejon bashkimin me zemër të lehtë të demokratëve dhe popullit opozitar: Tërheqjen e tij, hapjen e një gare gjithëpërfshirëse, të lirë e të barabartë prej nga të dalë lideri i ri. Gara e ndershme gabon shumë më pak se emërimi a pilotimi nga lart. Këtë kush nuk e di tashmë.