Kosova shënon sot 25 vjetorin e çlirimit. Më 12 qershor të vitit 1999 trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja hynë në Kosovë prej nga po largoheshin trupat serbe dhe që atëherë kjo kremtohet si dita e lirisë së Kosovës.
Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti thotë Kosovë po përballet me vështirësitë ekonomike, dhe largimin e të rinjve. Në një intervistë për Report Tv ai kritikoi kryeministrin Albin Kurtin.
“Po sillemi sikur kemi ekonomi të fuqishme dhe ushtri të fuqishme por do të duhej të rrimë me këmbë në tokë e të veprojmë mbi bazën e së mundshmes dhe të mësojmë nga gabimet e vendeve përreth përfshi dhe Shqipërinë që ka kaluar ato fazat që e kanë vonuar integrimin në BE”, tha ai.
Kritik mbetet dhe sa i takon marrëdhënieve të ftohta mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryeministrit Edi Rama dhe ka një thirrje për uljen e gjakrave. Madje nxit Ramën të marrë hapin i pari.
“Kosova e Shqipëria duhet të kenë marrëdhëie politike shumë të ngushta e vëllazërore, por nëse dy kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës nuk takohen me njëri tjetrin, nuk trajtojnë cështje të përbashkët dhe nuk i besojnë njëri tjetrit është problem më vete që të dyja palët duhet të trajtojnë.
Gabimet gjithmonë duhet të jenë mësim, por nuk di se të kujt janë këto gabime. Megjithatë sot ishte presidenti dhe kryetarja e kuvendit e Shqipërisë. Kryeministri Rama nuk ishte dhe më erdhi shumë keq që nuk ishte.
Sidoqoftë uroj që Rama të marrë iniciativën të ulë gjakrat e të mos mbajë inatë me adoleshentë politikë”, tha Haliti.
Të dy kryeministrave u kujton rrezikun me të cilën përballet Ballkani në këto kohë.
“Duhet të ulen qoftë si kryetarë partish, qoftë si dy kryeministra e apo si dy qeveri ti sheshojnë çështjet. Nuk është koha të tregojmë sa domate ka sjellë Shqipëria te ne apo sa patate kemi dërguar ne.
Koha është me shumë rreziqe të mëdha. Edhe fuqitë e mëdha po na tërheqin vëretjen se Ballkani është në rrezik nga Rusia dhe problemet që kemi ti rregullojmë mes vedit”, shtoi ai./m.j