Nënkryetari i PD-së, Luaçiano Boçi ka përshëndetur si të drejtë vendimin e Gjykatës së Apelit, që ja dha vulën e partisë më të madhe opozitare në vend, grupit të Rithemelimit. Në studion e RTSH24, Boçi se vendimi i gjykatës përputhej me realitetin që tashmë u përkthye edhe në një formë juridike.
“Nuk e fshehim gëzimin për atë vendim të drejtë me atë dëshirën e mirë që kemi patur që drejtësia në Shqipëria të ekzistojë dhe fatmirësisht ka edhe gjyqtar me integritet brenda këtij sistemi për të cilin ne kemi shprehur objeksionet tona, por një vendim që përputhej me të drejtën me të vërtetën, me vullnetin e demokratëve.
U përkthye në formë juridike një realitet që ne e preknim, por ende gjykatat e zvarrisnin, ishte një kalvar që duhej të përfundonte sepse vendi kishte arritur në një pikë kulmore të të dashurit një opozitë dhe ishte kërkuar në të gjitha ambientet e kërkuar në të gjitha shtresat e shoqërisë. Opozita, PD si lokomotiva kryesore, është ajo që vendos ekuilibrat jo vetëm politik, por edhe social. Kemi një shenjë të një normalizmi të raporteve politike dhe kjo do i shërbejë shumë edhe elementeve të tjerë që vijën më pas me paraqitjen e një alternative qeverisëse serioze dhe që gëzon sot të gjithë mbështetjen e demokratëve”, tha Boçi.
Hapi i radhës, sipas tij, do të jetë procesi i bashkimit. Boçi theksoi se nuk do të ketë vetëm thirrje drejtuar demokratëve, por po ashtu edhe kontaktime të drejtpërdrejta të anëtarëve të PD-së dhe kontributorëve të partisë në të gjitha nivelet.
“Thirrja është për të gjithë demokratët edhe për ata të pozicionuar te logoja, pro edhe te ata që kanë qenë të dyzuar në vendimmarrje politike për shkak të përplasjes juridike në PD. Do vazhdojmë me atë proces bashkimi që është i domosdoshëm, apeli ynë do të jetë i vazhdueshëm, do ketë edhe kontaktim të drejtpërdrejtë i të gjitha niveleve të kontributorëve dhe anëtarëve të PD-së”, theksoi ai.
I pyetur lidhur ne Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Bashën, Boçi u shpreh se ata janë vetëpërjashtuar me vendimet që kanë marrë, por shtoi se të dy ata duhet të bëjnë “mea culpa” dhe më pas vendimin e marrin demokratët.
“Ka vend për të gjithë deputetët, në rastin e zotit Basha dhe Alibeaj kanë qenë ata që janë vetëpërjashtuar nga ky proces bashkimi për shkak të vendimmarrjeve, megjithatë çdo njeri që bën opozitë dhe i kundërvihet kësaj qeverisje duhet të bëjë pjesë në opozitë dhe sidomos në PD. Të dy ish-kolegët tanë duhet të kenë refleksionet e tyre të ketë atë ‘mea culpa-n’ e tyre dhe çdo gjë tjetër e vendos mënyra e sjelljes së tyre dhe demokratët”, deklaroi Boçi në RTSH24.
/a.r