Po ti analizosh realisht edhe me syrin e sotëm vendimet që u morën në Kongresin e Përmetit, shihet qartë se ato, për kushtet e atëhershme të vendit tonë ishin në përputhje, dhe në mjaft raste analoge me qëndrimet dhe vendimet që merreshin në shkallë botërore, qoftë nga përfaqësuesit e Koalicionit Antifashist dhe Treshja e Madhe, qoftë nga qeveri në mërgim të atyre vendeve, popujt e të cilëve kishin luftuar dhe po prisnin fitoren kundër pushtuesve nazifashistë. Kështu për shembull, pa mbaruar lufta, Asambleja Konsultative e Francës, në gusht 1944 aprovoi dy ligje për dënimin e atyre “që i kishin dhënë ndihmë Gjermanisë dhe aleatëve të tyre, që kishin dëmtuar unitetin kombëtar, të drejtat dhe barazinë e shtetasve francezë”. Qeveria Holandeze, në mërgim në Londër, kishte bërë gati ndryshimet në kodin penal, ku ndërmjet tjerave parashikonte dënimin me vdekje për tradhtarët e bashkëpunëtorët e pushtuesve gjermanë, apo Qeveria Çekosllovake në mërgim, ndërmjet tjerave punonte e merrte vendime për dëbimin e gjermanëve sudetë nga tokat çekosllovake, për dënimin e bashkëpunëtorëve të pushtuesit e shtetëzimin e pronave të tyre etj.
Ndermjet tjerave, vendimi për mos lejimin e kthimit të Ahmet Zogut në Shqipëri ishte më se i drejtë për shumë arsye, e në radhë të parë për aktin e tij të turpshëm, që si tradhtar që ishte arratisur nga Shqipëria si cub, duke e lënë popullin e shtetin shqiptar në dorë të pushtuesve italianë, madje i ngarkuar me qindra valixhe e sepete të mbushura përplot me sende të çmuara e floririn e grabitur popullit shqiptar…. Tepër i rëndësishëm ishte fakti se me këtë vendim ju dha fund monarkisë, sistem që në v.1928 i ishte imponuar shqiptarëve nga Ahmet Zogu dhe disa përfaqësues të të ashtuquajturave elita, duke u vetëshpallur mbret, në kohën kur disa vende të tjera po i jepnin fund monarkisë…. Që shqiptarët nuk e kishin dashur e nuk e donin atë sistem, u vërtetua edhe një herë në vitin e mbrapshtë 1997, kur me vota u deklaruan kundër monarkisë. (Është e turpshme që sot disa medie, madje edhe zyrtarë e politikanë, pa pikë respekti për ligjet e Kushtetutën, nipin e Ahmet Zogut e thërrasin Princ…)
Sikur ai, qoftë edhe një javë të qëndronte në Shqipëri e të vihej në krye të Ushtrisë e popullit shqiptar me pushkë në dorë edhe të huajt mund ta trajtonin ndryshe siç ndodhi me disa mbretër apo kryeministra të disa vendeve europiane, që me aq sa mundën ju kundërvunë pushtuesve dhe mbasi u larguan nga vendet e tyre dhe u sistemuan në Londër, u njohën dhe u trajtuan si mbretër apo qeveri në mërgim …Prandaj edhe vendimin e Kongresit të Përmetit për mos lejimin e Zogut në Shqipëri nuk e kundërshtuan të huajt.
Tepër i rëndësishëm ishte vendimi për mos të njohur asnjë lloj qeverie që mund të krijohej këtu apo jashtë, në kundërshtim me vullnetin e popullit. Pa hy thellë në histori, ne shqiptarët, për fatin tonë të keq, që me shpalljen e pavarësisë, në krye të shtetit kemi pas disa përfaqësues të atyre që quheshin elita, dhe që shumë prej tyre, që nga Esat pash Toptani u vunë në shërbim të huajve, të atyre që i paguanin më shumë. Pikërisht nga kjo kategori mund të pritej çdo gjë, sepse përfaqësues të tyre, në çdo moment mund të krijonin qeveri, dhe duke përfituar nga emri që kishin, të dilnin si përfaqësues të popullit shqiptar.
Historikisht, një pjesë e këtyre të ashtuquajtura elita ishte mësuar që herët, ta shisnin Shqipërinë, dhe siç ka thënë një patriot i vjetër, kurvërinë politike e kishin filluar që në kohën e pushtimit osman, dhe zanati që mësohet herët, nuk harrohet kollaj…
Ja si shkruan për këto të ashtuquajtura elita, në librin me kujtime “Diplomat pa dëshirë”, Jakub Karaosmanogllu, ish Ambasador i Turqisë në Tiranë në vitet 1934-1935, në kapitullin kushtuar Shqipërisë:
“Një herë më bëri vizitë një deputet i parlamentit të Shqipërisë…dhe pa pikë turpi më tha: “Lartmadhëria Juaj, zoti ambasador, në mes nesh nuk ka asnjë që të mos shitet”. Mua më erdhi turp, por ai pa u skuqur vazhdoi: “Disa prej nesh i shërbejnë serbëve, ndërsa të tjerët janë robër të italianëve. Cila palë paguan më shumë, aty edhe pajtohemi. Por tani ka ikur koha e ankandeve. Të gjithë ne, që nga Mbreti deri tek tetari i xhandarmerisë jemi në dispozicion të “makaronaxhjinjëve”.
“E keni parë? Këtu ndodhet një italian i ri. Ai është i kudondodhur, megjithëse nuk është punonjës i ambasadës: ai është fashist, Kryetari i Organizatës Fashiste në Shqipëri. Kur në Tiranë u inaugurua rruga “Musolini”, në fjalën e tij ai tha “ Ne kemi paguar për të gjitha këto”. ….Ky pusht nuk i shmanget asnjë fustani, biri i kurvës…Mos më detyroni të flas më shumë për të”- përfundoi deputeti.
Mbas disa kohësh, unë e pashë vetë se çfarë suksesi kishte në rrethet e shoqërisë së lartë dhe në shtëpitë e disa aristokratëve ky i ri italian, për të cilin më foli deputeti. Gratë më elegante dhe më të bukura i vinin rrotull, dhe ai, në prani të të gjithëve u fuste duart… gratë dhe vajzat ai i lejonte ta thërrisnin me emra përkëdhelës, me theks italian….Nuk do të ishte e drejtë të thuash se dashuria për Italinë kishte pushtuar vetëm gratë e shoqërisë së lartë. Burrat e tyre, madje edhe baballarët e tyre, pavarësisht se shumica e tyre ishin arsimuar në shkollat tona dhe dikur zinin poste të larta në aparatin e Perandorisë Osmane, nëpërmjet zbukurimit të mbiemrave, na tregonin qartë sa i ishin përshtatur kësaj kulture: “Libohova”, “Virioni”, “Verlaçi”, “Alizhoti” dhe të tjerë. Veçanërisht Alizhoti nuk pushonte së lëvduari se ai ishte pasardhës i një familje të vjetër italiane…”.
Kështu shkruante për elitat tona, ish ambasadori turk në librin e tij që është përkthyer në shumë gjuhë të botës….,
Por ajo që shkruante turku, u pa shumë qartë, mbas pak vitesh, më 7 prill 1939. Për turpin e tyre, disa prej përfaqësuesve të këtyre elitave u arratisën bashkë me Ahmet Zogun….Por shumë prej tyre që nuk u larguan, e “drodhën”, u vunë menjëherë në shërbim të pushtuesit. Mjafton një shembull. Më 12 prill, dy përfaqësues të këtyre elitave, Xhafer Ypi dhe Shefqet Verlaçi (siç e quante me ironi ambasadori turk) ju futën punës për të mbledhur Asamblenë Kushtetuese, që u mblodh më 12 prill. Duket e pabesueshme sot, por shumica e deputetëve të parlamentit të v.1937 u kthyen në asamblistë, dhe vendosën të shpallin rrëzimin e regjimit mbretëror dhe të abrogojnë kushtetutën e v.1928 (disa prej tyre e kishin aprovuar në atë kohë) dhe kryesorja “të bashkojnë për jetë fatet e Shqipërisë me ato të Italisë” dhe ti çojnë Kurorën e Shqipërisë, Viktor Emanuelit. Kështu nga 9 deputetë të rrethit Beratit, 7 prej tyre u kthyen në asamblistë, nga 7 deputetë të Elbasanit 6 u bënë asamblistë, nga 3 deputetë të Vlorës të tre u kthyen në asamblistë, nga 8 deputetë që kishte Shkodra, 7 prej tyre u kthyen në asamblistë e kështu me radhë. Po ti hidhni një sy kryeministrave të të ashtuquajturave Qeveri Shqiptare gjatë periudhës së pushtimi nazifashist, shumica e tyre kryesoheshin nga përfaqësues të këtyre të ashtuquajtura elita, që nga Xhafer Ypi, Shefqet Verlaci, Eqrem Libohova, Maliq Bushati, Ibrahim Biçakçiu, Fiqiri Dine etj.
Përfaqësues të elitave, që nuk u vunë haptazi në shërbim të pushtuesit italian, si Mit’hat Frashri, Ali Këlcyra, Nuredin Vlora, Hasan Dosti etj. i shërbyen në mënyra të tjera pushtuesit. Ndërmjet tjerave, për t’ju kundërvënë vendimeve që u morën në Konferencën e Pezës, ata krijuan organizatën Balli Kombëtar (pavarësisht se disa thonë se është krijuar që në v.1939, por deri në vitin 1942, nuk e ka njohur askush dhe nuk ka asnjë aktivitet). Është folur e shkruar shumë herë për rolin e Ballit Kombëtar gjatë kohës së luftës, bashkëpunimin me pushtuesit italianë e veçanërisht me ata gjermanë. Janë botuar me qindra dokumente që vërtetojnë këtë bashkëpunim, por unë do i referohem dy ish ministrave të kohës pushtimit, Ernest Koliqit dhe Kol Bib Mirakajt.
Në një letër që Ernest Koliqi i dërgonte Karl Gurakuqit, më 18.7.1952 ndërmjet tjerave shkruante:
“I shpallin botës se jemi kenë fashista. Po kush e ka mohue? Përmendin Shefqet Verlacin se i biri bashkëpunon me ne. Mos të qëndronte me ne do ta zgjidhnin edhe atë fajesh si Mustafa Krujën që ju përul Zogut, Hasan Dostin se u nenshkrue me Ballin, si njëqind të tjerë që u kertylën në kohën e Italisë dhe sot i bien mohit… Të gjithë kanë veshë devizë fashiste dhe i kanë shërbye regjimit, sot të shamë deri në ditën e fundit. Asnjani nuk dha dorhjekje. Patriotizmi i tyne fillon kur në Stalingrad Hitleri ngeli. Deri atë ditë na u lëvyrshin e na duartrokisnin”.
Ndërsa në vitin 1967, Kol Bib Mirakaj, i shkruante Abaz Ermenjit:
“Keni kalue në anën tjetër kur Boshtit filloi ti rrjedhë kazani, kur u pa se kazani po shterrej, me mujtë me nxjerrë veten puritanë, filluet ta ndani kombin në fashista e kolaboracionista, në patriotë e tradhtarë, tue e cilësue veten superpatriotë…Na queni ne kolabarocionista me të huejtë, me okupatorin, as e kemi mohue, as kemi ndërmend të fshihemi, siç po bajnë disa prej jush se gjoja kishit “bekimin” e Mit’hat Frashrit me bashkëpunue me fashista e me “sabotue”. Ne nuk e mohojmë bashkëpunimin tonë me Italinë Fashiste, për rrjedhim me Boshtin Romë-Berlin. Por asnjë prej jush mos e mohoni bashkëpunimin tuej. Edhe ju bashkëpunuet me të huejin, madje jeni mburrë për atë bashkëpunim, pra kolaboracionista kemi kenë të dy palët”.
Dokumentet e faktet e pa fund, shqiptare, gjermane apo të tjera të huaja vërtetojnë, se as Balli Kombëtar as Legaliteteti nuk zbrazën asnjë pushkë kundër pushtuesve të rinj gjermanë. Me justifikimet se ata kanë ardhë si miq, se janë kalimtarë në Shqipëri etj. dhe kryesorja, nën pretekstin për të luftuar komunizmin, ata bashkëpunuan haptazi politikisht dhe ushtarakisht me pushtuesit e rinj.
Pa u zgjatur me shumë shembuj e dokumente do përmendë shkurt. Në kujtimet e tij, Faik Quku, komandanti ushtarak i Ballit Kombëtar shkruante për furnizimet me armë nga pushtuesit gjermanë për Ballin Kombëtar: “Kadri Cakrani dhe Eqrem Peshkëpia kishin marrë armatime gjermane 10 mijë pushkë, 500 mitraloza, dhe dy autoblinda, Isuf Luzaj 2 mijë armë, Ibrahim Biçaku një mijë armë dhe Alush Leshataku 800 armë”.
Gjenerali anglez Dejvis, mbasi kishte parë situatën në vend dhe bashkëpunimin e hapur të Ballit dhe Legalitetit me gjermanët i shkruante Komandës Aleate të Mesdheut:
“Këta njerëz janë mësuar të bëjnë rolin e kuislingut me turqit, me italianët, me gjermanët e tani përpiqen të bëjnë këtë rol edhe me ne, prandaj ju rekomandoj tu bëhet atyre paralajmërimi i fundit, se mbas lufte, do dalin para gjyqit si kriminelë”, ndërsa në telegramin e dt.17 dhjetor për Shtabin Aleat të Mesdheut në Kajro ai shkruante:
“Situata ka evoluar kaq shumë kohët fundit saqë tani duhet urgjentisht të denoncohet Këshilli i Regjencës, kolektivisht dhe çdo anëtar me emër. Gjithashtu edhe Balli Kombëtar dhe zogistët. Të gjithë janë duke bashkëpunuar me gjermanët…”
Sipas përcaktimit të Zyrës Strategjike të ShBA (OOS) të datës 5 gusht 1944:
“Balli Kombëtar tani është duke bashkëpunuar në mënyrë të paturpshme me gjermanët dhe tashmë është i lidhur me Qeverinë kuislinge, sa që është e pa mundur të bëhet ndonjë dallim midis tyre”
Shumë qartë e ka shprehur kryetari i Ballit Kombëtar Mit’hat Frashri para ikjes bashkë me gjermanët nga Shkodra, në nëntor 1944, ku deklaroi:
“Marr përgjegjësinë t’ju deklaroj se e ç’bëjmë organizatën e Ballit Kombëtar. Ne e humbëm luftën, por jo shpresën”. Po kundër kujt e humbi luftën, më qartë e më shqip nuk mund të thuhet. Kundër bashkatdhetarëve, kundër shqiptarëve, kundër atyre që luftuan për çlirimin e Shqipërisë.
Këta ishin ata që quheshin ajka e kombit, që quheshin elita, që kanë turpëruar jo vetëm veten, por edhe ne si shqiptarë…prandaj vendimi i Kongresit të Përmetit për mos të njohur asnjë qeveri që mund të krijohej prej tyre, këtu apo jashtë Shqipërisë, ishte më se i drejtë. Me atë vendim historik, ju dha goditja përfundimtare këtyre të ashtuquajtura elita të kombit që nuk e morën më veten asnjëherë, pavarësisht nga përpëlitjet e disa pasardhësve të tyre…..
Të gjithë jemi dëshmitarë ç’ndodhi pas viteve 90-të tek ne. Si në asnjë vend demokratik të Europës, çfarë nuk u tha e nuk u bë kundër Luftës Nacional Çlirimtare, kundër atyre që bënë luftën, kundër Heronjve e Dëshmorëve, duke i quajtur deri kriminelë…. E pa dëgjuar askund, ndryshuan datën e çlirimit, ju hoqën emrat e Heronjve e Dëshmorëve rrugëve, shkollave e institucioneve, u heroizuan e u dekoruan bashkëpunëtorë të pushtuesve, ju ngritën buste e monumente disa kriminelëve etj. etj. Në këtë kuadër, u sulmua ashpër, madje një ndër sulmet më të egra u bënë kundër Kongresit të Përmetit. Çfarë nuk u tha kundër tij, madje duke shfrytëzuar gabimet e fajet që u bënë më vonë, u përpoqën t’ja hidhnin fajin Kongresit të Përmetit. Por ndër temat më të preferuara të pasardhësve e të bashkëpunëtorëve të pushtuesit ka qenë dhe mbetet “Lufta Civile”, që gjoja qenka zhvilluar në Shqipëri e që sipas tyre, vendimet e Kongresit të Përmetit e nxitën dhe e ashpërsuan edhe më shumë atë.
Dua tu kujtoj këtyre falsifikatorëve e të ashtuquajturve studiues, se specialistë të njohur në botë dhe institucione të specializuara ndërkombëtare, Luftën Civile e kanë përcaktuar kështu: “Në vendet e pushtuara nuk mund të ketë Luftë Civile, sepse, në se aty luftohet, mund të ketë luftë kundër pushtuesit, pavarësisht zënkave, grindjeve apo përleshjeve me armë që mund të zhvillohen midis fiseve apo grupeve rivale, shpesh herë të nxitura e të mbështetura nga pushtuesi apo në shërbim të tij”.
Konventa e Vjenës, i ka përcaktuar shumë qartë kriteret e Luftës Civile….
Sipas institucioneve zyrtare ndërkombëtare, në periudhën 1886-1997 në botë janë zhvilluar 213 luftëra civile, ku më të përgjakshmet përmendin Luftën Civile në Amerikë (1861-1865), Luftën Civile në Rusi (1917-1922), Luftën Civile në Kinë (1927-1950), Luftën Civile në Spanjë (1936-1939), Luftën Civile në Greqi (1946-1949), Luftën e Dytë në Sudan (1983-2005) etj. Në listën e hartuar nga institucione ndërkombëtare, nuk përmendet asnjë rast që të jetë zhvilluar Luftë Civile në vendet e pushtuara nga nazifashistët në Europë gjatë Luftës Dytë Botërore. Ata nuk pranojnë as të diskutojnë për Luftë Civile në vendet e pushtuara, duke e quajtur këtë shpikje të politikanëve…..
Nuk ja vlen të merrem në këtë shkrim e të humbas kohë me këta broçkullaxhinj, shpifës e falsifikatorë, disa nga të cilët, pasardhës të atyre që shitën Shqipërinë, që bashkëpunuan me pushtuesit e që nuk lanë gjë pa bërë kundër këtij populli, që, në vend që të heshtin e të veprojnë si shumica dërmuese e pasardhësve të kësaj kategorie në Europën Demokratike (që heshtin e nuk mbrojnë paraardhësit e tyre kriminelë e bashkëpunëtorë të pushtuesit, madje disa prej tyre kanë kërkuar falje për veprimet e paraardhësve të tyre….) dërdëllisin neper studio televizive, botojnë shkrime e deri libra, fatkeqësisht me paratë e taksapaguesve shqiptarë….
Por atyre u duhet dhënë përgjigje, me fakte e dokumente, tonat e të huajve, nga studiues, historianë e politikanë seriozë e dinjitozë, për të shpjeguar antifashizmin e shqiptarëve, për të shpjeguar përse u ngritën e luftuan shqiptarët kundër pushtuesve nazifashistë, për mbrojtur Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, për të kujtuar e vënë në vendin e nderit ata që bënë luftën e fituan, Heronjtë e Dëshmorët e asaj lufte të lavdishme….
Gazeta Dita