Më 13 qershor, Ushtria Çlirimtare e Kosovës çliroi Suharekën. Mendimet e para të Enverit, ish-ushtarit që ndodhet në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ishte të gjente familjen. Ai dinte vetëm se familja kishte mbërritur në Librazhd e asgjë më tepër.
Enveri tregon se mendonte që familja gjendej në ndonjë kamp dhe në kushte të vështira. Në të vërtetë, familja e tij ishte mirëpritur e strehuar në një shtëpi në fshatin Dorëz.
Enver: Në Librazhd i kanë dërguar në një kamp. Vjen zoti Fatmir, ka dëgjuar që kanë ardhur në Librazhd dhe thotë unë kam mundësi të marr 3-4 anëtarë se edhe ata i kishin kushtet ekonomike të vështira.
Ardit Gjebrea: Normale, secili sipas mundësive.
Enver: Fatmirësisht për familjen time që ishin këta 5 anëtarë, i merr dhe i dërgon te familja atje. Aq shumë ka folur babai për atë familje, jo vetëm për atë familje, por për atë lagje, për atë fshat saqë babai im ka qenë pothuajse si kryeplak i fshatit Dorëz. Çdo të mirë e çdo të keqe prej ditës që kanë shkuar deri në datën 16 qershor asnjëherë nuk ka ngrënë bukë vetëm, me familjen që ka qenë mysafir. Jo vetëm babai, por edhe pjesëtarët e tjerë të familjes kanë kaluar një kohë të jashtëzakonshme.
Kur mbërriti në Librazhd, Enveri mësoi se familja e tij njihej nga të gjithë dhe prej dy muajsh jetonte në shtëpinë e Jakupit ku ndodhi edhe takimi i shumëpritur.
Enver: Kur ngjitem përpjetë, kur shoh nënën, kunatën dhe motrën në oborr në një tavolinë duke ndenjur. Nuk ka shprehje që të mund të shpreh si e kam ndier veten. Çlirimi i vendit ishte diçka e jashtëzakonshme, por kur pashë familjen m’u duk diçka e paimagjinueshme.
Ardit Gjebrea: Po kur të panë ata ty?
Enver: As ata nuk besonin që jam gjallë.
Ardit Gjebrea: Nuk e besuan?
Enver: Nuk e besonin. Sado që më përqafonte nëna, më shihte se mos jam i dëmtuar ose i plagosur nga lufta. Babai im me gjithë vëllain e ndjerë ishin në Librazhd, kishin shkuar në qytet për të marrë diçka. Erdhën ata, u çmallëm shumë.
Enveri shton se u kthyen në Kosovë që atë ditë, me gjithë këmbënguljen e familjeve për të qëndruar. Arsyeja ishte ajo çfarë kishin lënë pas në Kosovë, një vend i shkatërruar që priste të rindërtohej e të lulëzonte sërish./tvklan.al