Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka dekretuar emërimin e Ernal Filo, si ambasador të Shqipërisë në Ukrainë.
Më 29 maj, Komisionin për Politikën e Jashtme zhvilloi një seancë dëgjimore me Ernal Filo, i cili u shpreh se “propozimi për të hapur për herë të parë përfaqësinë e Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe situata faktike në të cilën ndodhet Ukraina, tregojnë se vendi ynë po i jep rëndësinë e duhur vendeve dhe rajoneve që sot janë në qendër të fokusit diplomatik ndërkombëtar dhe që përbëjnë një çështje sa kritike, aq edhe sfiduese për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian”.
Më tej ai theksoi se “gjykoj se situata në të ardhmen mund të jetë me përfitime për ne dhe këtu kam parasysh angazhimin që mund të ofrojmë së bashku me vende të tjera të rajonit, ku kompanitë tonë të mund të përfitojnë nga fondet e rindërtimit të qyteteve të shkatërruara të Ukrainës kur të përfundojë lufta dhe kur Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për dëmet ekonomike dhe humbjen e civilëve të pafajshëm”.
Emri i tij mori mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Komisionit për Politikën e Jashtme, si nga mazhoranca ashtu dhe opozita/m.j