Aktivistja dhe kryetarja e OJQ “Mollëkuqja”, Rita Behadini për gazetën KOHA, ka deklaruar se partitë politike shqiptare e dëshmuan dhe në zgjedhjet presidenciale ashtu edhe në ato parlamentare që nuk janë të interesuar për barazinë gjinore
Zenel MIFTARI
Shkup, 2 qershor – Pasi u vërtetuan mandatet e deputetëve në Parlament dhe u zgjodh kryeparlamentari i ri, u hap rruga dhe për formimin e Qeverisë së re. Gjatë javës që pason pritet që kreu i VMRO-DPMNE-së, të merr mandatin për formimin e qeverisë nga presidentja e parë grua Gordana Siljanovska Davkova. Presidentja edhe gjatë fjalimit të saj të parë gjatë marrjes së detyrës në fjalimin e saj inaugurues foli për rëndësinë e emancipimit të rolit të gruas në shoqëri dhe largimin e steriotipeve ndaj grave. Ajo u shpreh se do të angazhohet që ta përmirësoj rolin e gruas dhe të kontribuojë në barazinë gjinore në vendin tonë.
Derisa po zhvillohen bisedimet për formimin e Qeverisë së re deri më tani lakohen emra të ndryshëm për ministra dhe zëvendës të tyre, por deri më tani në kampin politik shqiptar nuk kemi emra të grave të cilat lakohen për të marrë pozita udhëheqëse në ekzekutiv. Pra, ashtu si në dy qeveritë e kaluara edhe kësaj radhe partitë politike shqiptare nuk u besojnë grave për t’ju dhënë pozita udhëheqëse. Ato margjinalizohen dhe lihen në rendin e dytë. Derisa vet koalicioni VLEN, në planprogramin e saj të shfaqur gjatë zgjedhjeve parlamentare në pikën e gjashtë te mirëqenia dhe ekonomia, ka theksuar se do të ketë kuotë prej 40% për gratë. Në planprogramin e tyre thuhet se gjatë qeverisjes së tyre përfshirja e grave do të bëhet në të paktën 40% të të gjitha pozicioneve të emëruara, në të gjitha nivelet.
Aktivistja dhe kryetarja e OJQ “Mollëkuqja”, Rita Behadini për gazetën KOHA, ka deklaruar se partitë politike shqiptare e dëshmuan dhe në zgjedhjet presidenciale ashtu edhe në ato parlamentare që nuk janë të interesuar për barazinë gjinore.
“Ndoshta edhe nuk e kuptojnë se çfarë dhe përse është e nevojshme barazia gjinore për shoqërinë tonë. Kjo tregon shumë për faktin se ku jemi ne me barazinë gjinore në vend. Rënia e numrit të deputeteve gra duhet të shqetësoj të gjithëve, pasi nuk do të ketë kush t’i adresoj problemet e grave në instanca më të larta institucionale. Mungesa e grave në këto pozita udhëheqëse, bënë që të mos adresohen problemet e grave ose edhe më keq të mos të mos dalin në pah problemet e tyre”, shprehet ajo.
Juristja Liridona Beqiri, tha për gazetën KOHA, se duke marrë parasysh që statusi i grave në shoqëritë bashkëkohore vlerësohet si një nga indikatorët kyç për qeverisje të mirë dhe në përgjithësi si kusht i demokracisë liberale, bindshëm them se si shoqëri dhe si shtet kemi dështuar në mënyrë konstante, duke reflektuar trendin global për rritje të mosbesimit në barazinë gjinore. Sipas saj, politika në këtë aspekt ka humbur kredibilitetin dhe mungon vetreflektimi.
“Në vendin tonë ekziston një kapilarizëm i strukturave të ndryshme drejt shtrembërimit të figurës femër duke ushqyer një statujë të pushtetit absolut mbi ta, dhe nga këtu as përmbysjet e sistemeve e as rrotacioni i vazhdueshëm në politikën e vendit nuk kanë ngritur dhe ridefinuar figurën e gruas. Pozita e gruas është e penguar nga një terren me shumë të panjohura, nga një politikë konfliktuale, sistem ku meritokracia zëvendësohet me servilizëm e klientelizëm dhe është e vështirë të përfaqësosh një grua model ndryshe. Ky vend ka baltosur çdo model e çdo personazh nga standardi që zgjeron lirinë e mashkullit dhe redukton atë të gruas. Nga këtu gjithmonë ka dominuar qasja seksiste që injekton ekuivalentin e inferioritetit të gruas”, është shprehur Beqiri.
Ajo mes tjerash tha se dëshpërimi edhe më i madh është kur gratë me vetëmiratim pranojnë këtë lloj shovinizëm politik nga meshkujt dhe në këtë mënyrë ushqejnë pushtetin absolut të burrave ndaj tyre. Shqetësimin më të madh që kam unë, shtoi ajo është që gratë po ju duartrokasin agresorit mashkull mbi deformimin e identitetit femër, një ndarje e thellë që shkakton humbjen kulturore të fuqisë që ky identitet ka.
“Pra, figura e gruas është getoizuar duke harruar që gjithëpërfshirja e gruas inkurajon dhe krijon klime nxitëse në shoqëritë civile. Gruaja politikane shqiptare ka pozicion margjinal dhe inekzistent në politikë. Gratë përbëjnë gjysmën e sovranit andaj nuk mund të ketë legjitimitet institucional dhe çdo demokraci që përjashton atë paraqet vetëm lajthitje. Duke qenë gjysma e sovranit çështja e kuotave duket një çështje sasiore dhe e shëmtuar që nuk prodhon konkurrencë. Funksionet jetike të gruas janë më shumë se aq! Për fund mund të them se nga të gjithë ndodhitë e fundit në politikë që u quajtën historike, për mua mbetet vetëm një gjë historike, përsëri asnjë grua në ekzekutivë”, u shpreh ajo në fund.