Kryeministri Edi Rama tha sot, gjatë emisionit “Report” në Rai 3, se personat që ngrenë akuza ndaj tij apo qeverisë kanë dhe barrën e provës. Sipas kreut të qeverisë, ata që hedhin baltë me Shqipërinë, janë ata që kanë humbur luksin e të qenit në një karrige pushteti dhe janë nën hetim nga drejtësia.
“Kanabizimi? Nuk di me kë keni folur, po unë nuk do iu besoja shumë atyre që flasin pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit. Kështu e mendoj unë. Nuk janë njerëz që duhen marrë seriozisht, por vetëm mund të mëshirohen. Duhet të jetë një burim tërësisht i ndotur dhe duhet të ketë probleme me drejtësinë. Kemi një thënie ne në Shqipëri, “pyll pa derra nuk ka””, tha Rama.
“Do ju them diçka, se është ajo çka e bëri të neveritshëm reportazhin tuaj. Që nga romakët, civilizimi ynë e ka zgjidhur këtë problem. I takon barra atij që akuzon të paraqesë provat, jo të akuzuarit, sepse, nëse unë ju akuzoj tani ose nëse ju bëj një pyetje të pafajshme, po që është e rëndë: “Më falni, mos ju ka paguar gjë Bechetti?” Ju takon juve ta vërtetoni apo më takon mua ta vërtetoj? Atëherë, nëse unë jua bëj këtë pyetje, ju do thoni: “Sigurisht që jo.” Po nuk është kjo mënyra për të ushqyer publikun, sepse, ndërkohë, po t’jua bëj këtë pyetje, publiku do të nisë të mendojë me vete, “ëhëëë”, pasi, përgjithësisht, qenia njerëzore është shumë herë më e prirur të tërhiqet gënjeshtrat sesa të vërtetat. Në shumicën e rasteve, të vërtetat janë të mërzitshme, nuk përbëjnë lajm; gënjeshtrat ndërkohë janë argëtuese, përbëjnë lajm dhe, pastaj, të gjithë politikanët janë të korruptuar, të gjithë politikanët janë kriminelë. Atëherë, pse jo, edhe krerët e organizatave kriminale kanë ardhur këtu dhe unë vizatoj, ndërkohë që ata më vinin përpara hartat e tyre të trafiqeve. Do ishte një film i bukur”, tha Rama.
Ndërsa gazetari italian e pyeti për Engjëll Agaçin, Rama u përgjigj duke theksuar se “po si mundemi të bëjmë ne një intervistë, me ju që përfaqësoni një program të famshëm në Itali, që ka bërë edhe hetime, të cilat kanë bërë zbulime befasuese, pra shërbimi publik, dhe me mua që jam Kryeministri i Shqipërisë, e këtu e sjellim bisedën në një nivel kaq të ulët dhe flasim për njerëzit. Domethënë, marrim emra njerëzish, të cilët as nuk janë të pranishëm, nuk kanë poste e tituj, njerëz që kanë jetët e tyre, nuk është e mundur”.
Sipas kryeministrit, nuk është në shërbim të publikut të marrësh emrat e njerëzve, që kanë jetët e tyre, që janë në punën e tyre, të cilët nuk kanë lidhje kurrkund me punën tuaj, me punën time, që është një punë me peshë, ku flitet vërtet për gjera me peshë, e bëhen pastaj objekt.
“Mediet shqiptare nuk bëjnë dallim. Unë midis “Report” dhe homologes së tij në Shqipëri zgjedh Report-in. Domethënë, për mua neveria e Report-it është mjaltë, krahasuar me neverinë e homologes suaj këtu në Shqipëri. Mediet shqiptare nuk janë një argument për këtë. Unë, kur flas me ju, duke qenë se më përmendët arkitektët, flas me dikë që përfaqëson kategorinë që, le të themi, është krijuar nga Montanelli, jo kategorinë e krijuar nga Enver Hoxha”, shtoi Rama.
“Unë takohem me shumë njerëz dhe unë mbaj përgjegjësi për atë që bëj vetë dhe për atë çfarë personat janë kur vijnë tek unë. Pastaj, nëse zbulohet se dikush nuk është në rregull, i takon drejtësisë të bëj punën e saj dhe, sigurisht, më takon mua, i takon qeverisë, i takon administratës të distancohen. Nëse unë ju them, po ju takoheni me Francesco Bechettin, që është një kriminel, më fal po çfarë do të thotë kjo? Ju bëni punën tuaj. Unë nuk takohem me kriminelë, në rregull? Kjo është fyese”, theksoi Rama.
“Megjithatë, fakti që një person edhe në qeveri apo një person që vjen nga jashtë, del nesër që është i kalbur nuk më bën mua përgjegjës që e kam takuar atë apo kam takuar dikë tjetër. Pra, kjo është mënyra sesi bëhet një gazetari që bën pis, që bën pis, sepse më fal, e para fare, unë as nuk jap, as nuk anuloj koncesione apo çfarëdo që të jetë”, shtoi Rama.
“Më fal, po unë nuk jam shteti, jam Kryeministri. Shteti ka strukturat e veta, ka administratën e vet, sepse është siç e thashë më parë. Pra, krimineli italian, i cili është dënuar këtu me 17 vjet, i është drejtuar gjykatës për një problem, që, sipas tij, është krijuar nga ne, ndërkohë që ai pastronte para dhe ka përdorur një fjalë timen, postuar në Tëitter, pasi ishte shprehur prokuroria, si presion kundër lirisë së shtypit. Pra, duhet kaluar përmes rrugës gjyqësore, përmes rrugës institucionale për çdo subjekt, për gjithçka, sepse hetimet janë një gjë, proceset gjyqësore janë një gjë tjetër, vendimet e formës së prerë nga gjykatat janë diçka tjetër dhe po te dilet me shpatë e të flitet qeshim, pastaj e gjen veten në situata shumë të parehatshme nga këndvështrimi i shtetit”, tha Rama.
“Ne, shteti shqiptar nuk jep koncesione, nuk u jep leje, nuk iu jep asgjë kriminelëve. Pastaj, nëse ndokush del se është një person që duhet të përgjigjet përpara drejtësisë për afera, siç ndodh në Itali çdo muaj, ju nuk do ta merrnit kurrë guximin të thoshit, “atëherë, për këtë, kryeministrja italiane që është takuar me atë njeri, është një kriminele”, shtoi Rama.
“Unë jam takuar me shqiptarë, të cilët kanë ardhur tek unë, më kanë thënë që kishin synim të zhvillonin diçka dhe iu kam thënë: “Bëni si të doni, ligji dhe rrugët janë të qarta”. Dhe nuk me duket që ndokush të ketë përftuar ndonjë gjë si favor. Pastaj, nëse del se dikush është i bërë pis, atëherë, këtu ka ligje. Është sekuestrimi, është një gjë a një tjetër. Po është krejt ndryshe, domethënë nuk vjen prej meje”, tha Rama.
Lidhur me akuzat e ngritura nga politika mbi vëllain e kryeministrit, Olsi Rama, kreu i qeverisë u përgjigj:
“Që është një tjetër ndërhyrje e neveritshme në jetën e dikujt që nuk ka asnjë lidhje, në jetën e dikujt që akuzohet vetëm se është im vëlla, sepse fakti nuk ekziston. Po ashtu, ai ka ngritur edhe padi dhe tani shpresoj që edhe kjo gjë do të sqarohet nga prokuroria e posaçme. Po, e kuptoni? Ju jeni shërbimi publik italian, nuk jeni një kanal shqiptar që bën si të dojë, sepse, në fund të fundit, të flasësh për të tilla gjëra të thuash që, i vëllai, aaa është akuzuar. I akuzuar nga kush, i akuzuar për çfarë? Pastaj, ku janë provat? Pastaj, këto “prova”, janë tani, shpresoj nën hetim. Janë nën hetim, pasi ai ka paraqitur padi për shpifje, kështu që këtu i duhet lënë në dorë drejtësisë. Por t’i marrësh gjëra të tilla e të formosh një mozaik me copëza që janë të gjitha gjysmë të vërteta. Janë të gjitha gjysmë të vërteta dhe për këtë arsye gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha, mashtrimet më të mëdha”, tha Rama.
Rama: Gazetaria duhet të flasë me fakte, gjysmë të vërteta që janë gënjeshtrat më të mëdha
Gjatë intervistës gazetari italian tha se ish-ministri i Brendshëm është dënuar ndërsa më tej përmendi edhe ish-ministrin Xhafa. “Më fal, po që ti thuash këto gjëra duhet të jesh i pafytyrë. Unë nuk arrij dot ta imagjinoj se si mundet shërbimi italian të tregojë këtë fytyrë. Pra, ato gjëra që po thoni janë të pakonceptueshme. “Shumë eksponentë” dhe pastaj flet për një ministër të Brendshëm, vite më parë dhe pastaj shton Fatmir Xhafën, njeriu i cili dha dorëheqjen në mënyrën më qytetare”, tha Rama.
“Jo sepse kishte lidhje me ndonjë gjë, po thjesht për një çështje morale. Në rregull? Pas një sulmi me baltë, për të cilin ka një proces gjyqësor që vazhdon dhe përbaltësi që ishte në vijë të parë është dënuar nga gjykata e shkallës së parë. Bën pjesë në grupin politik që e furnizon me këto gjëra. Unë po flas për fakte. Opinionet janë një gjë, por kur flas për persona apo për çështje, flas për fakte. Pra, i grupit politik, se, çuditërisht programi “Report” është një megafon apo një amplifikator i të gjitha kazanit të plehrave të politikës shqiptare, të shtypit shqiptar, që e kanë bërë palën që i prodhon, një palë kaq humbëse, saqë sot, shefin e madh e kanë në një ballkon, në arrest shtëpie për korrupsion. Mirë? Dhe ju i merrni këto gjëra, i eksportoni në Itali, i hidhni atje, pastaj vini sërish këtu. Dhe jepi, emra, emra, emra”, tha Rama.
“Fatmir Xhafa është njeriu që ka udhëhequr të gjithë përpjekjen tonë krah partnerëve ndërkombëtarë për reformën në drejtësi. Një reformë drejtësie që është duartrokitur nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe që po jep rezultate, sepse që nga momenti që Shqipëria u bë e pavarur nga Perandoria Osmane e deri në ditët tona, për herë të parë në historinë tonë, politika nuk ka më aftësinë për të kontrolluar sistemin gjyqësor. Për herë të parë në historinë tonë, ka subjekte politike të lidhura me qeverinë, me këtë shumicë që e deshi këtë reformë, të lidhur edhe me palën tjetër, që kanë dalë përpara gjykatësve dhe gjyqtarëve të kësaj strukture të posaçme. Dhe ju e merrni këtë emër, të një personi që kurrë, kurrë nuk është akuzuar me asnjë fakt në dorë për korrupsion ose për bashkëpunim për çfarëdolloj gjëje”, nënvizoi Rama.
“Po vij te konceptet tuaja për demokracinë dhe lirinë. Për mua, përfaqësoni një prej realiteteve më të padiskutueshme të lirisë së plotë, në rregull? Dhe ankoheni pastaj, ankoheni se gjendeni nën trysni për këtë liri. Ju i jepni vetes të drejtën të thoni gjithçka doni për njerëzit. Atëherë, merrni sekretarin e përgjithshëm të qeverisë dhe thoni “avokati i narkotrafikantëve më të fuqishëm”. Gënjeshtër.
Kështu, i manipulonte Enver Hoxha njerëzit. Po, është avokat, mund ta bëjë, mund të mbrojë kë të dojë. Të mbrosh një trafikant droge nuk do të thotë të jesh trafikant droge. Enver Hoxha dhe komunistët kështu i manipulonin njerëzit. Fiks kështu. Është metoda për të krijuar pasiguri dhe për të hedhur dyshime për persona që janë vënë në skenarin tuaj. Po ç’lidhje ka kj?! Ç’hyn kjo këtu? Ju flisni, po ç’hyn Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, figura institucionale numër një e vendit. Atëherë, nëse bëhet një marrëveshje ndërkombëtare, në këtë rast si marrëveshja me Italinë, Sekretari i Përgjithshëm bën pjesë në grupin e punës për marrëveshjen. Pra, ç’hyn fakti që deri 10 vjet më parë, 11 vjet tanimë, ai kishte shkuar në Itali, si të gjithë shqiptarët që shkuan atje, në kërkim të një të ardhmeje. Bën shkollën në Itali për drejtësi, nis një praktikë avokatie në Itali, që ishte diçka e pabesueshme asokohe për një shqiptar”, tha Rama.
“E jashtëzakonshme. Bën avokatin penalist. Punon për demokracinë, sepse pa figurën e avokatit, demokracia nuk ekziston dhe sot vihet në shënjestër si një njeri i lidhur – i lidhur – me trafikantët më të fuqishëm të drogës dhe kur unë ju pyes, më falni, po çfarë është kjo? Ju më thoni, letrat. Në rregull, po a e dini ju, që figurat më të rëndësishme, nga më të rëndësishmet, të historisë franceze, të Europës; të ministrave të Miteranit dhe të tjerëve, vetë Miterani, kanë qenë avokatë penalistë. Kanë mbrojtur kriminelë lufte, kanë mbrojtur njerëz që kanë ngrënë fëmijë në Afrikë. Askush nuk ka guxuar që, duke gjykuar jetën e tyre më pas, të thonin: “Ee, ky është ai që ka lidhje me ata që hanë fëmijë””, theksoi Rama.
Duke folur për çështjen e Artur Shehit, Rama tha se “për të ardhur te rasti konkret, keni thënë një tjetër gënjeshtër totale. Edhe këtu keni gënjyer, sepse gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha. Kjo është një gjë e ditur, ju e dini, të gjithë e dinë, por ai program i Report-it e nxori në pah në të gjithë formën dhe thellësinë e vet këtë thënie. Gjysmë të vërtetat, krejtësisht gënjeshtra. Unë i kam lexuar të gjitha dokumentet, falë jush, sepse ju nuk ia lexuat publikut italian, se aty i kishit të tre. Atëherë, këtu bëhet fjalë për një histori krejt ndryshe dhe ju flisni edhe njëherë për një narkotrafikant, flisni për mjë person…Flet për një njeri që unë nuk e njoh. Mund edhe ta njihja, nuk është… por nuk më rezulton të jetë një person i dënuar, nuk më rezulton. I dërguar për gjykim është një gjë, i dënuar është gjë tjetër”, tha Rama.
“E dyta, flisni për diçka që është e pavërtetë, sepse nuk ka pasur asnjë ndërveprim, asnjë ndërveprim, në rolin e avokatit, nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave me këtë subjekt kur ishte avokat. Dhe këtë nuk e thatë në program.Koka juaj është e mbushur plot me emra dhe nuk po dini më as ku t’i vini. Unë nuk dua t’ia di për emra. Nuk më interesojnë emrat, nuk i njoh. Unë flas për fakte.
Ju nuk flisni për faktet, ju flisni vetëm për gjysmë të vërteta që janë gënjeshtrat më të mëdha.
Ç’hyn tani një avokat, që është marrë nga një grup personash të besuar të një të vdekuri që kishte pasur prona në Shqipëri, me origjinë shqiptare, i cili kishte prona në Shqipëri?!
Ai kishte një prokurë nga gjykata për të ushtruar detyrën e vet si avokat, që nuk e ushtroi më kur u bë Sekretar i Përgjithshëm. Ç’hyn ai me këtë historinë e gjeneralit këtu, gjeneralit atje?! Ç’lidhje ka?! Pse keni vënë në mes një avokat, i cili nuk ka lidhje kurrkund me gjithë pjesën tjetër të historisë, që as nuk e njoh dhe as nuk më intereson. Sepse donit të provonit – dhe prapë doni ta bëni, e shoh, e parafytyroj tani edhe serinë e re – doni të vazhdoni të provoni që Xhorxha Meloni ka bërë një marrëveshje të gabuar me një qeveri plot hije. Dhe kjo është e turpshme! Mirë? Sepse nuk përkon me të vërtetën dhe përbëhet nga gjysmë të vërteta. Më flisni për ministrin e tretë të Brendshëm që është sot dhe më thoni, “në një telefonatë midis dy…”. Ku di gjë unë për telefonata… Jo, më falni. Ku di gjë unë për telefonatat midis personave që mund të thonë, “O, e takova unë atë. Kam takuar Edi Ramën, më tha, i thashë…”. Po ku e di unë këtë? Po si mund t’i nxirrni kështu këto gjëra? Ajo telefonatë, për të cilën folët, duhet jetë e lidhur me fakte. Pastaj, nëse faktet e mbështesin, në rregull. Po si mund të merren në dosje telefonata, kjo, ajo, dhe të dalësh e t’i thuash publikut, “ka pasur një telefonatë”. Ka pasur një telefonatë? Po çfarë pastaj? Unë hap telefonin – dhe ka raste që nuk njoh as numrat – hap telefonin dhe flas. Fakti duhet ndjekur. Domethënë, çfarë ka ndodhur më pas? Unë, tani, po mësoj çfarë do të thotë demokraci.
Duke ju parë juve, unë po mësoj çfarë do të thotë ta mbrosh demokracinë nga gjysmë të vërtetat. Sepse, në emër të demokracisë dhe të lirisë, gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat ditët e sotme kanë marrë përmasa të jashtëzakonshme. I kuptoj rrjetet sociale, i kuptoj, po ky është shërbimi publik italian. Po si bëhet kjo, si bëhen gjëra të tilla?!”, shtoi Rama.
“Ju nuk më keni rreshtuar deri tani, të paktën deri tani, asnjë fakt. Ju më keni rreshtuar… Jo, jo, më thoni ju ku janë faktet. Ju më keni rreshtuar…Pra, është fakt që ju thoni që dy kriminelë flasin me njëri-tjetrin, nuk e vë në diskutim. Në rregull? Por, ta marrësh këtë fakt, ta sjellësh këtu. Domethënë, të udhëtoni nga Italia, të vini tek unë dhe të më thoni “shumë eksponentë”. Jo, jo. Ju thatë, “shumë eksponentë të qeverisë suaj janë vërtetuar se kanë pasur lidhje me mafien”. E thatë ju. Kush? Më thoni një emër, që ka kaluar në gjykim dhe gjithë pjesën tjetër – unë nuk komentoj – po që nuk është provuar e as nuk është dënuar për bashkëpunim mafioz, që të jemi të qartë. Jo, jo, ju mund të bëni gjykatësin mbi gjykatësit, është e drejta juaj”, tha Rama.
/a.r