Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja tronditëse në Kretë të Greqisë, ku në zonën e Arvit, një fëmijë shqiptar, rreth 7 vjeç, është mbytur teksa po notonte në plazhin që ndodhej pak metra larg shtëpisë së tij.
Fëmija i kishte kërkuar nënës leje që të shkonte të notonte me një shok, por ajo kishte refuzuar. Duke i ikur nga vëmendja nënës, i mituri ishte futur në det, por fatkeqësisht e kishin marrë dallgët, e për pasojë kishte humbur ndjenjat. Më pas ai u gjet i pajetë nga një banor i zonës,i cili e kishte parë mbi ujë.
Banorët e tjerë u mobilizuan për t’i dhënë ndihmën e parë që ta shpëtonin, por ishte tepër vonë.
Nikolasi i vogël, siç bëjnë me dije mediat greke, ishte me origjinë nga Shqipëria dhe jetonte me prindërit e tij vitet e fundit në Arvi.
Prindërit e tij janë punëtorë kryesisht në serra, njerëz të shkëlqyer siç përshkruajnë bashkëfshatarët e tyre.
Të gjithë po flasin për një fëmijë të mrekullueshëm plot energji, gëzim dhe mirësi.
Nëna e tij pak muaj më parë solli në jetë fëmijën e dytë të familjes dhe në momentin që ndodhi tragjedia ishte në shtëpi me foshnjën, ndërsa babai në punë.
Kryebashkiaku i Viannos, Pavlos Baritakis, tha për cretapost.gr se “fëmija e donte shumë detin dhe i shpëtoi vëmendjes së prindërve, si pasojë e të cilit humbi jetën”. Në një pyetje lidhur me plazhin, kryebashkiaku i Viannos theksoi se ky plazh i veçantë nuk është i organizuar , pra nuk ka një roje shpëtimi. Gjithashtu, është shkëmbor.
Sipas informacioneve të fundit, prindërit kanë qenë në komisariat dhe kanë dhënë deklaratë se si ka ndodhur ngjarja./m.j