Pati Vardhami ishte sonte e ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga dhe tregoi arsyet që e shtynë për të kandiduar si eurodeputete në Parlamentin Evropian. Zonja Vardhami foli pak për jetën e saj, largimin nga Shqipëria në 1991-shin kur ishte adoleshente, vështirësitë që hasën familjarisht në Greqi, zhvendosjen në Londër për masterin dhe rrugën e saj drejt suksesit.
Zonja Vardhami rrëfen se një ndër motivet ka qenë aktivizmi për të mbrojtur dhe të kërkuar të drejtat e saj, ashtu siç bëri dhe para 5 vitesh kur u bashkua në partinë DiM25, të ish-ministrit Yanis Varofakis.
“Unë kam ardhur në Greqi me familjen në vitin 1991, kam qenë adoleshente dhe vitet e para kanë qenë të vështira. Kam pasur mundësinë të shkollohem, më pas u shpërngula në Londër për master, dhe më pas u angazhova si aktiviste. Tani të drejtat i kërkoj nëpërmjet aktivizmit dhe qëndrimit në politikë. Në aktivizëm kam rreth 6 vitesh, jam marrë me DiEM25, organizatë europiane, pjesë e së cilës është edhe partia MeRA25, ku unë kandidoj.
Kam qenë pjesë e partisë së ish-ministrit grek Yanis Varoufakis që në hapat e para, të ndërmarrjes së kësaj partie. Kjo pasi Yanis Varoufakis ka qenë një nga krijuesit e organizatës DiM25 dhe krijimit të partisë MeRA25. Jam një ndër pjesëtaret e para të këtyre dy lëvizjeve dhe sigurisht që aty marr pjesë si femër emigrante. Pasi ka fokus feminizmin dhe çështjet e emigracionit, dy çështje që mua më prekin personalisht dhe politikisht më tepër. Partia është një parti progresive, në DiEM25 kemi personalitete të njohur, akademikë dhe intelektualë evropian. Një rrjet akademikësh dhe intelektualë në fushën progresive të politikës, shkencave sociale dhe të ekonomisë.
Gjithmonë kam ndjekur një rrugë që më ka interesuar personalisht dhe më ka sjellë këtu ku jam sot. Kjo rrugë ka qenë majtas, tek idetë progresive, e reja dhe bashkëkohore. Kemi pasur probleme goxha dhe me Europën e Bashkuar. Yanis Varoufakis është shkëputur nga SYRIZA, kur mori pjesë në qeverinë e kësaj partie si ministër i Financave.
Ka qenë koha kur negociohej kriza ekonomike dhe borxhi grek me institucionet e Evropës së Bashkuar. Kanë marrë vendime politike të ndryshme dhe Varoufakis u shkëput dhe krijoi partinë e tij. Është e vërtetë që në të majtën, si greke si evropiane dhe botërore ka ndarje sepse e majta është një hapësirë politike që varet shumë në ideologji dhe tek idetë sociale-politike. Jo shpesh herë bien dakord.”, tregon zonja Vardhami./m.j