Edhe pse sinjalet për një krisje mes dy institucioneve më të larta të shtetit, qeverisë dhe presidencës në Kosovë kanë qenë edhe më herët, shpërfaqja e tyre u bë e qartë, kur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kritikoi hapur qeverinë, për faktin se një përfaqësues IOJQ-ve të huaj si Gerald Knaus dinte më shumë se ajo lidhur më çështjen e veprimeve drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.
Osmani i quajti qesharake pretendimet e kryeparlamentarit Konjufca, i cili e justifikoi mosinformimin e presidentes për letrën që Gërvalla i nisi KiE, me faktin se presidentja gjendej jashtë vendit. Për Osmanin, largësia, ishte një justifikim që nuk qëndronte, në kohën kur ekzistojnë telefonat, ndërsa burime të A2 CNN pretendojnë se dy ditë para dërgimit të letrës, Osmani ishte kthyer në Kosovë.
Anëtari i Komisionit të Sigurisë së kuvendit të Kosovës, Hisen Berisha, thotë për A2 CNN, se Gërvalla duhet të bëhet pjesë e një hetim jo vetëm penal, por edhe parlamentar për veprimet e saj, që siç thotë kanë pasoja në politiken e jashtme.
Kurse deputeti i listës “Guxo”, Burim Meta, ka theksuar për A2CCN, “se shmangja e informacionit ndaj presidentes nga qeveria, përbën shqetësim të madh dhe se veprime të tilla nuk duhen lejuar.
E para e shtetit, Vjosa Osmani ka ngritur disa pyetje. Në qoftë se problemi paska qenë tek mos prezenca fizike në Kosovë, atëherë si është e mundur që një përfaqësues i shoqërisë civile në Gjermani që po ashtu nuk ishte prezent në Kosovë e mori atë letër, para Presidencës së vendit, para Parlamentit, e para popullit të Kosovës.
Pyetjet nuk kanë marrë përgjigje nga qeveria e as nga kryeministri Kurti, i cili me gjithë këmbënguljen e A2 CNN, nuk pranoi të komentonte./m.j