Stuhi të fuqishme, erëra të forta dhe breshër në madhësi sa topi i golfit goditën pjesën veriore të Teksasit.
Në Hjuston, situata e krijuar nga moti i keq ishte më e përkeqësuar. Në pamje shfaqen rrugët e mbushura me ujë, pemë të rrëzuara dhe një kaos nëpër zonat e banimit.
Ndërprerje të energjisë elektrike u raportuan në pjesën më të madhe të Teksasit, i cili u përfshi nga një valë e hershme e të nxehtit.
Më shumë se 1 milion shtëpi dhe biznese në Teksas, Kentaki dhe shtete të tjera ishin pa energji. Pa energji mbetën edhe rreth 100 qendra votimi në Dallas, ku po zhvillohej një balotazh.
Autoritetet shpallën gjendjen e fatkeqësisë, ndërsa në disa azile u vunë në punë gjeneratorët.
Pjesa më e madhe e Shteteve të Bashkuara u goditën gjatë fundjavës nga stuhi dhe tornado të fuqishme që lanë rreth 25 të vdekur.
Moti i keq ka përfshirë edhe Indinë, ku cikloni bëri që një digë në Manipur të vërshonte duke shkulur pemët dhe përmbytur rrugët.
Në jug të Brazilit, dhjetëra mijëra nxënës kanë kaluar një muaj pa u ulur në klasat e tyre, të cilat u përmbytën.
Shirat që filluan në fund të prillit kanë fryrë disa lumenj dhe liqene në shtetin më jugor të Brazilit të Rio Grande do Sul në nivele rekord, duke shkaktuar përmbytje që vranë të paktën 169 njerëz.
/a.r