Deputetja e PS-së, Etilda Gjonaj ka hedhur poshtë akuzat e opozitës se maxhoranca po synon të pengojë reformën në drejtësi me rezolutën antikorrupsion. E ftuar në studion e RTSH 24, Gjonaj i konsideroi akuzat si të paqena, teksa theksoi se nuk ka asnjë qëllim që të kufizohet apo ndryshohet reforma në drejtësi. Ajo sqaroi se në fakt, një nga shtyllat e kësaj rezolute lidhet pikërisht me pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi.
“Kur përmenda shtyllat kryesore, shtylla e tretë lidhet me sundimin e ligjit ku pjesë e saj është pakthyeshmëria e reformës në drejtësi. Sundimi i ligjit prek të gjitha institucionet publike. Pjesa e reformës në drejtësi apo institucioneve të drejtësisë është një pjesë e kësaj shtylle të tretë por lidhet me atë që konsiderohet pakthyeshmëria e reformës në drejtësi. Ato që janë thënë janë akuza të paqena dhe që konsiderohen lajme të rreme që herë bëhen për interesa personale, herë politikë. Ne me këtë rezolutë, nuk ka asnjë lloj qëllimi të kufizojmë apo të ndryshojmë reformën, përkundrazi ne e kemi thënë në rezolutë ku reforma në drejtësi, përveçse të garantojmë pakthyeshmërinë, ne duam të garantojmë ato parime dhe shtylla që janë vendosur në reformën në drejtësi në 2016 dhe të garantojmë paanësinë e kësaj reforme”, tha deputetja.
Gjonaj theksoi po ashtu se nuk do të ketë mbivendosje me komisionet e përhershme që ka Kuvendi, pasi, sipas saj, rregullorja e parlamentit i përcakton qartë përgjegjësitë.
Deputetja socialiste tha se komisioni i posaçëm nuk ka si objekt monitorimin e institucioneve të drejtësisë. Ajo shtoi se mund të thirrjen përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, por jo në konceptin e monitorimit, por për të evidentuar masat që do të duhen të merren për zbatimin e rekomandimeve kryesore që vijnë nga procesi screening.
“Rregullorja e parlamentit e ka përcaktuar qartë se cilat janë përgjegjësitë e 8 komisioneve të përhershme që ka Kuvendi. Ky komision i posaçëm, i parashikuar edhe në rregullore, ka një objekt të posaçëm që do të merret që do lidhet me tre shtyllat që unë përmenda. Nuk ka si objekt monitorimin e institucioneve të drejtësisë, apo monitorimin e punës së institucioneve të tjera të pavarura. Mund të thirren përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, por jo në konceptin e monitorimit, por në evidentimin e atyre elementëve apo masave që do të duhen të merren për zbatimin e rekomandimeve kryesore që vijnë nga procesi screening”, deklaroi deputetja.
Me 76 vota pro dhe 2 kundër, Kuvendi miratoi dje (28 maj) projekt-rezolutën lidhur me thellimin e reformave për sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin. Deputetë të opozitës nuk morën pjesë në votim.
/a.r