Nga Gjergj Erebara / BIRN
Eksportet shqiptare pësuan një rënie dramatike prej mbi 6 për qind për periudhën janar-shkurt të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rënie e shkaktuar nga çmimi shumë i ulët i naftës në tregun ndërkombëtar, rënia e sektorit minerar me mbylljen e minierave të bakrit në veri si dhe për shkak të falimentit të Kurum, kompanisë që prodhon hekur për ndërtim dhe që qe përgjegjëse në të shkuarën për një pjesë të eksporteve. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, eksportet për periudhën janar-shkurt 2016 qenë 33.9 miliardë lekë, nga 36.2 miliardë që qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rënia e eksporteve u shkaktua nga përgjismimi i eksporteve të grupit minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike si dhe rënia me një të tretën e zërit materjale ndërtimi dhe metale.
Ndërkohë, lajme të mira u shënuan nga grupet Ushqim, ije dhe duhan, ku eksporti në bazë vjetore u rrit me 38 për qind dhe grupi Tekstile dhe këpucë, ku eksportet u rritën me 19 për qind.
Shqipëria eksportoi gjatë vitit të kaluar 243 miliardë lekë mallra (1.74 miliardë euro), e barabartë kjo me rreth 17 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Eksportet kanë pësuar rritje të vazhdueshme që nga viti 2000, por rritja në një pjesë të konsiderueshme nuk cilësohet si e shëndetshme, për shkak se është sjellë në një masë të madhe rritja e shpejtë e eksporteve të naftës. Në një vit të zakonshëm, nafta zinte deri në një të katërtën e eksporteve totale. Për shkak se çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ka rënë me gati tri herë përgjatë dy viteve të fundit, edhe eksportet shqiptare pritet të bien.
Importet në rritje
Përgjatë periudhës dymujore janar-shkurt 2016, importet e Shqipërisë u rritën me 3.1 për qind, kryesisht si pasojë e rritjes në grupin tekstile dhe këpucë. Rritja e importeve në këtë grup lidhet njëkohësisht me rritjen e eksporteve të të njëjtit grup. Te grupet e tjera të rëndësishme, si ushqime, pije e duhan, rritja qe vetëm 1 për qind ndërsa te Produktet Kimike e Plastike, rritja qe vetëm 0.3 për qind.
Periudha dymujore konsiderohet zakonisht tepër e shkurtër për t’u parë si tendencë, për shkak se eksportet dhe importet mund të kenë luhatje të konsiderueshme nga muaji në muaj. Gjithsesi, rënia e eksporteve të disa mallrave të rëndësishme si mineralet dhe nafta është tashmë tendencë që nga viti i kaluar dhe situata pritet të përkeqësohet në muajt në vazhdim.